Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha të premten se Moska kishte nisur dërgimin e sistemit të raketave sipërfaqësore në Siri dhe paralajmëroi fuqitë perëndimore të përpiqen të ndihmojnë përpjekjet e udhëhequra nga OKB-ja për t’i dhënë fund konfliktit shtatëvjeçar.
Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha të hënën se sistemi do të dorëzohej te forcat e presidentit sirian Bashar al-Assad brenda dy javëve, pavarësisht kundërshtimeve të forta të Izraelit dhe të Shteteve të Bashkuara.
“Dorëzimi filloi tashmë dhe ashtu siç Presidenti (Vladimir) Putin tha, pas atij incidenti javën e kaluar, do të marrim masat për të siguruar 100 për qind jetën e njerëzve tanë”, tha Lavrov në një konferencë shtypi në Asamblenë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Kryediplomati rus iu referua qartazi incidentit me rrëzimin e avionit rus mbi Siri javën e kaluar, për të cilin Moska akuzoi se Izraeli ka pasur ndikim të tërthortë.
Rusia, së bashku me Iranin, kanë ndihmuar Asadin të rimarrë sasi të mëdha të territorit të humbur në Siri, pa e bindur atë të bjerë dakord për ndonjë reformë politike. Ajo gjithashtu ka shtyrë bisedimet e veta me Iranin dhe Turqinë, të njohura si procesi i Astanas, pasi negociatat e paqes të udhëhequra nga OKB-ja kanë ngecur.
Disa diplomatë kanë thënë se incidenti izraelit dhe një marrëveshje ruso-turke për të pezulluar një ofensivë në bastionin e fundit të mbajtur nga rebelët e Idlibit, mund të ofronin një dritare për të nxitur zbatimin e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të numër 2254 të OKB-së, që synon përfundimin e konfliktit në Siri.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i cili përfshin Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, ka mandatuar të dërguarin e saj Staffan de Mistura për të negociuar një marrëveshje mbi një kushtetutë të re, zgjedhje të reja dhe një reformë të qeverisjes së Sirisë.
Top Channel