Një Volvo e zezë alarmon Danimarkën, mbyllen disa rrugë kalimi

29/09/2018 01:16

Tre persona të përfshirë në një ngjarje të rëndë kriminale dhe që udhëtojnë në një makinë të regjistruar në Suedi, janë vënë në ndjekje nga policia daneze.

Në një deklaratë zyrtare thuhet se të tre janë në një Volvo V90 të zezë, me targa suedeze ZBP 546, dhe bëhet thirrje që t’u qëndrohet larg pasi përbëjnë rrezikshmëri.

“Dëshmitarët që e shohin automjetin duhet të kontaktojnë menjëherë policinë dhe të shmangin çdo lloj kontakti me ta”, thuhej në deklaratën e policisë.

Gazeta suedeze Aftonbladet raporton se ka pasur një rrëmbim, edhe pse policia nuk ka dhënë hollësi të mëtejshme. Autoritetet mbyllën shkurtimisht lidhjet e transportit për në dhe nga ishulli më i madh i Danimarkës, Zaeland, në kërkim të tyre, por më vonë i rihapën sërish ato.

Ura e Brezit të Madh, në ishullin e Fynenit, ishte plotësisht e mbyllur për makinat, ndërsa anijet dhe trenat u prekën gjithashtu nga këto masa.

Nëpërmjet një statusi në Twitter, Policia e Kopenhagenit kërkoi falje për mbylljen e transportit dhe tha se nuk kishte asgjë të re për të raportuar për rastin.

Policë të armatosur me armë automatike thuhet se kanë ndaluar një makinë në një autostradë në perëndim të kryeqytetit Kopenhagen (i cili ndodhet në Zaeland), sipas një fotografi të cituar në gazetën Berlingske Tidende.

“Isha në policinë daneze për 41 vjet dhe kurrë nuk kam përjetuar këtë lloj operacioni”, tha ish kreu i inteligjencës daneze Hans Jorgen Bonnichsen për tabloidin danez BT.

Llogaria e informacionit të trafikut TrafikNyt tha se Ura e Brezit të Madh dhe Ura e Oresundit, që lidh Suedinë me Danimarkën, u rihapën rreth orës 16:00 të orës lokale, së bashku me të gjitha rrugët e tjera për në dhe nga ishulli, përfshirë edhe linjat e trageteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA