Pak ditë më parë u njoftua ndalimi i administratorëve të tre qendrave të masazheve në kryeqytet pranë të cilave masazhatorët ofronin shërbime ekstra. Aksionet e vazhdueshme nuk e kanë ndalur fenomenin e jashtëligjshëm që zhvillohen në botën e erret të krimit. Disa vende perëndimore e kanë legalizuar në përpjekje për ta kontrolluar. Por a duhet legalizuar edhe në Shqipëri. Juli Ristani bisedoi me banorë të Tiranës dhe klerikë që janë totalisht kundër, ndërsa turistet e huaj janë pro.
Ka qendra estetike që përveç shërbimeve që ekspozojnë si trajtime fytyre, masazhe dobësimi e anticelulit, ofrojnë edhe shërbime ekstra. Në shtator Policia dhe Prokuroria e Tiranës finalizuan pas një periudhe 7 mujore hetimi operacionin e koduar ”Extra service”. U arrestuan 3 administratorë qendrash masazhi që akuzohen për shfrytëzim prostitucioni dhe përdorim lokali për prostitucion.
Qendra të tilla, apo edhe hotele ku gëlon prostitucioni janë mes nesh, në qendra banimi. Ligji e ndalon marrëdhënien seksuale të çdo forme kundrejt pagesës, megjithatë profesioni më i vjetër i botës vijon ende në mënyrë ilegale.
Në shumë vende evropiane ai është ligjëruar si një mënyrë për të ulur kriminalitetin ndërsa në Shqipëri debati për ligjërimin ose jo të prostitucionit zhvillohet prej mbi 15 vjetësh.
Të pyetur nëse duhet të ligjërohet apo disa qytetarë përgjigjen se janë kategorikisht kundër, por disa turistë të huaj në Tiranë thonë: “Jam nga Gjermania, duhet të jetë e ligjshme. Sepse është me e sigurtë për vajzat. Do të mbikëqyren më mirë. Por tani në Shqipëri ato janë rrugëve kështu që është shumë e rrezikshme”, thotë një prej tyre, ndërsa një tjetër përgjigjet “Kryesisht është i paligjshëm në Shqipëri. Në Hollandë prostitucioni është i ligjshëm, është më mirë kështu”.
Sociologu Gëzim Tushi shprehet se ka përplasje të opinioneve të ndryshme për shkak të kornizës morale dhe Kodit Penal që e ndëshkon këtë aktivitet.
“Të mos fshihemi, nuk besoj se ka më forcë që ta ndalojë. Edhe këto goditjet sporadike nga policia nuk japin efekt të madh. Nuk zbulohen të gjitha ambientet ku ushtrohet prostitucioni. Jam i mendimit që duhet legalizuar, për të shmangur mënyrat kriminale të realizimit të tij”, u shpreh Gezim Tushi, Sociolog.
Komunitetet e mëdha fetare në Shqipëri janë totalisht kundër fenomenit ndërsa nuk e pranojnë në asnjë mënyrë ligjërimin e prostitucionit.
Myftiu i Tiranës Ylli Gurra thotë se kështu abuzohet dhe si qytetarët, shoqëria, bashkësia e besimtareve dhe organet ligjzbatuese heshtin.
“Një plagë e thellë e çdo shoqërie. Edhe në Perëndim, legalizimi apo lejimi i prostitucionit nuk është se e ka zgjidhur këtë plagë, përkundrazi. Zgjidhja nuk është legalizimi”, shprehet Ylli Gurra, Myftiu i Tiranes.
Top Channel