Një gjykatës federal në Uashington ka vendosur se një grup prej afro 200 ligjëvënësish amerikanë kanë bazë ligjore për të ngritur padi ndaj Presidentit Donald Trump.
Anëtarët e Kongresit po e akuzojnë zotin Trump se ka shkelur klauzolën për shpërblimet dhe pagën në bazë të kushtetutës, sipas së cilës, zyrtarët federalë nuk mund të marrin fitime, apo dhurata nga qeveritë e huaja, pa miratimin nga Kongresi.
Gjyqtari Emmet Sullivan doli në këtë përfundim të premten.
Zoti Trump ka biznese në mbarë botën, përfshirë një hotel në kryeqytetin amerikan, ku shpesh qëndrojnë delegacionet e huaja gjatë vizitave zyrtare në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti ruan pronësinë mbi bizneset e tij, por u ka dhënë djemve të tij kontrollin e përditshëm. Por, kritikët thonë se kjo nuk është e mjaftueshme.
Elizabeth Wydra është drejtuese e Qendrës së Përgjegjshmërisë Kushtuese me qendër në Uashington, një organizatë ligjore liberale, që përfaqëson ligjvënësit për rastin në fjalë.
Ajo thotë se, “Duke pranuar se anëtarët e Kongresit kanë bazë ligjore për të ngritur padi, gjykata ka dëshmuar se askush nuk qëndron mbi ligjin, madje as presidenti.”
Departamenti i Drejtësisë tha se qeveria do të vazhdojë ta mbrojë presidentin në gjykatë. Kjo është hera e dytë që një gjykatës federal ka gjetur bazë ligjore që një palë të ngrejë akuza kundër presidentit për një çështje mbi të ardhurat dhe shpërblimet.
Top Channel