Një operacion i gjerë i ndërmarrë nga Policia e Shtetit pas hetimeve të Prokurorisë është përmbyllur me goditjen e 7 grupeve kriminale që trafikonin klandestinë në Mbretërinë Bashkuar, në SHBA dhe në Kanada.
pjesa e parë e këtij operacioni është finalizuar në mars të këtij viti ku arrestuan 39 persona. Hetimet më pas kanë vazhduar në bashkëpunim me agjentët speciale të departamentit të shtetit në ambasadën amerikane në Tiranë.
Nga hetimi është zbardhur se 7 grupet kriminale vepronin në Shqipëri, Bullgari, Spanjë, Francë, Republikën Domenikane, Itali, Mbretëri e Bashkuar, SHBA, Kanada.
Ata kanë trafikuar mbi 300 shtetas shqiptare në drejtim të Britanisë së madhe, SHBA-së dhe Kanadasë, kundrejt shumave qe fillonin me 7 mijë paund, dhe deri ne 30 000 mijë dollarë. Si pjese grupit kriminal janë arrestuar edhe dy punonjës policie të aeroportit të Rinasit, Almir Doda dhe Edmond Llacini, të cilët kanë ndihmuar për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në kërkim janë shpallur 6 persona, një prej tyre punonjës i sigurisë së aeroportit të Rinas dhe 5 shtetas maqedonas. Detaje të operacionit u bënë të ditura gjate një konference të përbashkët mes policisë dhe Prokurorisë së Krimeve të rënda
Pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale përmes veprimeve aktive ndihmonin shtetasit shqiptarë të interesuar për të emigruar në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të mësipërme, duke falsifikuar dokumenta udhëtimi dhe identiteti të vendeve të BE-së.
Ata përdornin iteneraret :
– Shqipëri-Itali-Mbretëri e Bashkuar
– Shqipëri-Francë- Mbretëri e Bashkuar
– Shqipëri-Bullgari- Belgjikë – Republika Domenikane-SHBA/Kanada
– Shqipëri-Spanjë- Amerika Latine-SHBA/Kanada.
Ndërkohë pas vijimeve të hetimit, nga bashkëpunimi midis SHÇBA, Oficerë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Institutit të Policisë Shkencore, është bërë e mundur që të identifikohen dhe më pas të arrestohen në datën 28 shtator 2018 si bashkëpunëtor në këtë grup të strukturuar kriminal 2 punonjës policie me detyrë kontrollor (roje kufitarë në PKK Rinas si dhe një agjent i kompanisë ICTS në aeroportin e Rinasit.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas kishin role drejtuese në këtë grup të strukturuar kriminal.
Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat ligjore dhe po bashkëpunohet me homologët tanë, për ekzekutimin e këtyre masave të sigurimit personal për këta shtetas.
Top Channel