I emëruari i Gjykatës Supreme të SHBA-ve, Brett Kavanaugh është akuzuar për abuzim seksual nga tre gra. Kavanaugh i mohon të gjitha akuzat kundër tij, por pavarësisht kësaj, ai u vendos që të dëshmojë në Komisionin e Posaçëm të Senatit për disa nga akuzat që kanë ngritur kundër tij.
Christine Blasey Ford, profesoreshë psikologjie dhe statistike u shpreh se ishte “100% e sigurt” se personi që e kishte sulmuar në 1982-shin ishte Kavanaugh, aktualisht i emëruar nga Presidenti Trump për anëtar i Gjykatës së Lartë.
Zonja Ford tha se kishte frikë se ai do ta vriste aksidentalisht gjatë incidentit, kur ajo tha se ai e sulmoi seksualisht dhe po përpiqej ta përdhunonte.
Ford ofroi hollësi të një mbrëmjeje rinore ku ajo kishte marrë pjesë bashkë me zotin Kavanaugh, atëherë 17-vjeç, me shokun e tij të fëmijërisë, Mark Judge dhe të tjerë.
Në korrik, Presidenti Donald Trump emëroi gjykatësin e Gjykatës së Apelit për një vend në Gjykatën Supreme. Ligjvënësit filluan të shqyrtonin rekordin e Kavanaugh mbi çështjet e diskutueshme si aborti dhe emigracioni.
Kryetari i Komisionit Juridik, Senatori Chuck Grassley e hapi seancën duke i dalë në mbrojtje të emëruarit për Gjykatën e Lartë dhe duke fajësuar demokratët që nuk i kishin bërë të ditura akuzat që më parë.
Top Channel