Arkitekti i Bulevardit dhe i Terminalit të Tiranës merr Medaljen e Artë Mbretërore në Britani

28/09/2018 10:46

Projektet e mëdha të Tiranës kanë marrë vlerësimet më të larta në rrethet arkitekturore të botës. Pas arkitetit të Teatrit të Ri Kombëtar, Bjarke Ingels, vjen një tjetër vlerësim i madh për arkitektin e Bulevardit të Ri dhe të Terminalit të Autobusëve në Tiranë, i cili nderohet së fundmi me çmimin më të lartë të Mbretërisë Britanike.

Arkitekti i dy projekteve që po marrin jetë në Tiranë, Sir Nicholas Grimshaw është vlerësuar me Medaljen e Artë Mbretërore për arkitekturë, e cila miratohet personalisht nga Mbretëresha e Anglisë dhe i jepet një personi ose një grupi njerëzish që kanë pasur ndikim të rëndësishëm “drejtpërdrejt ose tërthorazi, në avancimin e arkitekturës”. Instituti Mbretëror i Arkitektëve Britanikë (RIBA) vlerësoi “qasjen e jashtëzakonshme inovative të Sir Nicholas Grimshaw për arkitekturën dhe stilin e tij modernist”. Ai është përgjegjës për një numër të jashtëzakonshëm të ndërtesave dhe projekteve të infrastrukturës me rëndësi ndërkombëtare, si dhe për zhvillimin e vazhdueshëm të një arkitekture që e vendos teknologjinë në zemër të estetikës.

Sir Nicholas Grimshaw, arkitekti i njohur britanik, i famshëm për ndërtesat e tij moderniste dhe projektet e infrastrukturës në gjithë botën vlerësohet edhe si një frymëzim për gjeneratën e ardhshme të arkitektëve. Përveç Bulevardit të Ri të Tiranës, studio prestigjioze ndërkombëtare “GrimshawArch” ka projektuar edhe Terminalin e Autobusëve në pjesën hyrëse të qytetit, nga ana perëndimore, që parashikon kushte moderne për lëvizjen e autobusëve dhe shpërndarjen e pasagjerëve, nëpërmjet mjeteve të tjera të transportit.

Gjithashtu, ai parashikon mjedise ndihmëse për mirëmbajtje, shërbime e furnizime të mjeteve të transportit; ambiente sociale dhe hoteleri, për akomodimin e udhëtarëve. Stacioni “Tirana Bus Terminal” do të ndërtohet në afërsi të kthesës së Kamzës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA