Pavarësisht se është aleate e NATO-s, Turqia ka premtuar se do të përndjekë kundërshtarët e presidentit Recep Tayyip Erdogan edhe në tokë të huaj, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Kërcënimi vjen në mesin e tensioneve diplomatike mbi amerikanët e burgosur në Turqi dhe arrestimin apo rrëmbimin e dhjetëra qytetarëve turq në thuajse 20 shtete.
Një zëdhënës i Erdoganit tha se, agjencia turke e inteligjencës do të nisë operacione jashtë vendit kundër mbështetësve të Fethullah Gulenit, një klerik që jeton në azil në Pensilvani.
Erdogan e akuzon Gulenin se ka orkestruar grushtin e dështuar të shtetit të korrikut të vitit 2016 dhe i referohet lëvizjes së tij globale me emrin “FETO”, që do të thotë “grupi terrorist Fethullah”.
Turqia i ka kërkuar në vijimësi Shtëpisë së Bardhë të ekstradojë Gulenin, ndërsa zyrtarët po punojnë edhe në vende të tjera që të arrestojnë dhe ekstradojnë ndjekësit e tij.
“Njësi të rëndësishme dhe institucione do të vazhdojnë operacionet e tyre në vendet ku operon FETO, përfshirë këtu SHBA, apo çdo shtet tjetër. Republika e Turqisë nuk do t’i lerë ata të qetë”, tha zëdhënësi i Erdoganit.
Me mijëra janë kundërshtarët e Erdoganit që jetojnë në azil, në vende të ndryshme të botës. Por, ndërsa Amerika nuk i është përgjigjur kërkesave të Erdoganit për ekstradim, vende të tjera me lidhje më të ngushta kanë qenë bashkëpunuese, mes tyre Moldavia, por edhe Kosova, që në mars ekstradoi 6 persona, në një lëvizje që zuri të papërgatitur edhe vet kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili tha se nuk ishte informuar dhe shkarkoi ministrin e tij të Brendshëm.
Në total, Turqia thotë se ka arrestuar të paktën 80 qytetarë në 18 vende që nga nisja e operacionit, i cili është aq i gjerë saqë po e detyron vendin të ndërtojë qindra burgje të reja.
Top Channel