Paraqitet me vonesë në aeroport, del në pistë e vrapon për të kapur avionin

27/09/2018 09:40

Një pasagjer është arrestuar në pistën e Aeroportit të Dublinit nga policia, pasi arriti të dilte nga terminali në drejtim të një avioni duke thirrur ndaj pilotit që të mos nisej ende. Incidenti është shënuar mëngjesin e kësaj të enjteje.

Më herët, personi në fjalë ishte brenda terminalit dhe trokiste me ngulm nga xhami, duke u përpjekur t’i thoshte ekuipazhit të avionit që ishte ende në tokë të ndalnin nisjen e avionit. Gjithsesi, ai arriti ta ndiqte aeroplanin e kompanisë “Ryanair” përpara ngritjes, por jo për ta kapur, pasi u ndalua nga policia.

Një pjesëtar i ekuipazhit tha se personi në fjalë “thjesht vrapoi nga godina e terminalit drejt avionit”, i cili po nisej për në Amsterdam. Dy automjete dhe një furgon i policisë u vunë në veprim për ndalimin e personit.

Pasagjeri, në dukje rreth të 30-ave, nuk kishte arritur të ngjitej në kohë në avion, edhe pse ai u nis 21 minuta pas orarit të programuar.

“Një pasagjer mashkull dhe një femër ishin shumë vonë për të kapur fluturimin e Ryanair drejt Amsterdamit mëngjesin e sotëm. Ata mbërritën në terminalin e daljes vetëm pasi avioni kishte përfunduar procesin e ngjitjes së pasagjerëve. Ata nisën të debatonin me stafin e Ryanairit dhe pasagjeri mashkull nisi të irritohej. Ai godiste xhamin në përpjekje për ta bërë avionin të priste, e më pas arriti të dilte nga një derë për të vrapuar në pistë drejt avionit. Fillimisht u pengua nga stafi i Ryanairit, e më vonë nga policia e aeroportit, e cila pasi u kontaktua e arrestoi menjëherë atë. Tashmë ai ndodhet në stacionin policor të aeroportit”, deklaroi zëdhënësi i Aeroportit të Dublinit, ku gjatë 6 muajve të parë të këtij viti janë proceduar 14.7 milionë pasagjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA