Bashkëthemeluesit e rrjetit social të ndarjes së fotove, Instagram, Kevin Systrom dhe Mike Krieger kanë njoftuar largimin nga firma.

Systrom, shef ekzekutiv i aplikacionit, është shprehur se po largohen për të “eksploruar mundësi të reja krijueshmërie dhe kurioziteti”.

Instagrami ka më shumë se një miliard përdorues tashmë, ndërkohë që u ble nga Facebook në vitin 2012 për shumën e një miliard dollarëve, pjesërisht “cash” e pjesërisht aksione në bursë.

Largimi i dy bashkëthemeluesve vjen mes raportimeve për tensione mes tyre dhe lidershipit të Facebookut.

Sipas një analisti teknologjie, Dave Lee, popullariteti i Instagramit është rritur ndjeshëm pikërisht në një periudhë kur përdorimi i produkteve bazë që të ofron Facebooku ka mbetur në stanjacion. Kjo ka bërë që ndaj Facebook të rritet presioni që të shfrytëzojë gjithnjë e më shumë parà nga përdoruesit e vet për të shtuar funksionalitete të reja, për të cilat disa besojnë se po shkojnë përtej fokusit apo thjeshtësisë fillestare të aplikacionit të Instagramit.

Kevin Systrom dhe Mike Krieger lançuan rrjetin social të shpërndarjes së fotove në vitin 2010, e vazhduan ta drejtonin atë edhe pasi ai u ble nga Facebook.

“Ne jemi gati për kapitullin e radhës”, thuhet në deklaratën e Systrom. “Krijimi i gjërave të reja kërkon që ne të bëjmë një hap prapa, të kuptojmë se çfarë na frymëzon dhe ta përputhim këtë me atë për të cilën ka nevojë bota. Ky është plani ynë për të ardhmen”.

Shefi ekzekutiv i Facebookut, Mark Zuckerberg reagoi përmes një deklarate, ku theksonte se Instagrami po reflekton “talentin e përbashkët krijues” të themeluesve të tij.

“Kam mësuar shumë duke punuar me ta përgjatë 6 viteve të kaluara dhe e kam shijuar shumë. Mezi po pres të shoh se çfarë do të krijojnë në të ardhmen”, tha Zuckerberg. Systrom dhe Krieger, që të dy rreth të 30-ave, u takuan bashkë teksa studionin në Universitetin “Stanford”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA