Një mikrobus me pasagjerë që ishte nisur nga Firence dhe sapo kishte zbarkuar nga trageti i linjës Brindizi-Vlorë u grabit nga 3 persona të armatosur dhe maskuar.
Sipas policisë, nën kërcënimin e kallashnikovëve, autorët grabitën shoferin dhe dy pasagjerë, duke arritur të marrin mijëra euro, para’ të dërguara nga emigrantët për familjet e tyre. Ngjarja ndodhi pranë stadiumit të qytetit të Vlorës, ku mikrobusi bëri ndalesën e parë pas daljes nga porti.
Policia u vu në ndjekje të 3 autorëve, të cilët braktisën në autostradë, në mbikalimin pranë fshatit Panaja, automjetin e parë me të cilin u larguan. Për të humbur gjurmët, grabitësit ndërruan sërish automjet, të cilin gjithashtu e braktisën më vonë në fshat.
Por, me anë të gjurmimit me qen, policia zbuloi dy prej autorëve të fshehur në ferra. Ndërkohë, në kërkim vijon të jetë autori i tretë.
Policia ka marrë gjurmët e gishtave nga dy automjetet e braktisura, ku u gjetën dhe dy armët kallashnikov.
Top Channel