Për oligarkët foli edhe mazhoranca në Kuvend, duke e cilësuar kreun e opozitës, Lulzim Basha, një gjobëvënës të sipërmarrësve.
“A mund ta besojë kush në Shqipëri që mund të bëjë luftë kundër oligarkëve, gjobaxhiu i oligarkëve Lulzim Basha? Të gjitha kompanitë e mëdha në vend kanë kontraktuar për konsulencë kompaninë e kunatit dhe të bashkëshortes së Lulzim Bashës”, tha Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar socialist.
Balla kërkoi nga Lulzim Basha që të sqarojë në Kuvend marrëdhënien mes kunatit dhe të tij dhe atyre që kryedemokrati i cilëson kompani të oligarkëve: “Një kompani LANDMARK quhej njëra prej tyre, e cila faturonte rreth 2 miliardë para’ nga këto kompanitë e oligarkëve. A është kjo, o Lulzim Basha, gjobë që ti u vendos kompanive për të mos u përmendur emrin në Parlament? Unë mendoj që po”.
Duke shfrytëzuar rendin e ditës që kishte të bënte me dhënien me qira të tokave bujqësore, Taulant Balla nuk la pa thumbuar edhe ish-aleatët e LSI-së, duke kërkuar nga ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, të sjellë një projektligj të ri që të mundësojë zhbërjen e kontratave të firmosura në kohën e ministrit Edmond Panariti në favor të familjarëve të Balilajve.
“Kontrata është qepur aq mirë, por mendoj që ligji duhet të jetë i fortë edhe në këtë rast. Nuk mund nga njëra anë Balilajve t’u sekuestrohet hoteli dhe nga krahu tjetër 90 hektarë tokë të marra me qira po nga shteti të mos kemi mundësi t’ia sekuestrojmë. Edmond Panariti, ish-ministri i Bujqësisë i LSI-së, ka firmosur atë kontratë”, tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar socialist nguli këmbë se mazhoranca duhet të kryejë një audit të tokave bujqësore të dhëna me qira dhe në rast se ato janë të pashfrytëzuara, duke mos gjeneruar mirëqënie e punësim, t’i rikthehen shtetit.
Top Channel