Demokratët akuzuan qeverinë se po vendos monopolin e kontrollit të faturimit mbi biznesin përmes një tenderi, sipas tyre korruptiv, që kap shifrën e miliona eurove.
Jorida Tabaku, nënkryetare e Komisonit të Ekonomisë, akuzoi kryeministrin Edi Rama si përfituesin kryesor: “Qeveria e Ramës ka hapur një tender prej 15 milionë eurosh për monitorimin e sistemit të tatimeve, që përfshin një gamë të gjerë elementësh, duke përfshirë edhe koncesionin e TVSH-së. Ky është një sistem pothuajse identik me atë monitorimit të pikave të basteve, i kontrolluar nga ortakët e Olsi Ramës. Kriteret e tenderit janë përcaktuar që atë ta fitojë vetëm një kompani, të cilës i janë dhënë të drejta ekskluzive që të bëjë propozime ligjore për të ndryshuar ligjin e tatimeve”.
Ndërsa Endri Hasa u shpreh: “Jemi konsultuar me ekspertët më të mirë dhe rezulton se sistemi i ri i pagëzuar si sistemi i menaxhimit dhe kontrollit të faturimit do t’i kushtojë biznesit nga 80-100 milionë euro. Kjo kosto kolosale do të ndodhë sepse me sistemin e ri, qeveria do të detyrojë të gjitha bizneset të ndërrojnë të gjitha pajisjet fiskale dhe sistemet elektronike që kanë në përdorim”.
Partia Demokratike paralajmëroi se tenderi i sistemit të tatimeve do të shënojë edhe falimentimin e mijëra bizneseve.
Top Channel