Një dyqan “online”, që merret me shitjen e gotave të dekoruara me fytyrën e presidentit francez, Emmanuel Macron, si dhe disa byzylyqe të ngjashme me veroret në vendin tonë, me vlerë 250 euro dhe që i bëjnë jehonë sloganit “liri, barazi dhe vëllazëri”, ka shitur sende me vlerë deri në 350 mijë euro për vetëm 3 ditë.

Zyrtarët thonë se, në total, 7.320 sende presidenciale janë rrëmbyer që prej hapjes së dyqanit virtual për tregti gjatë së premtes, në të cilin janë shpenzuar mesatarisht 48 euro për blerje.

Shitjet janë shtuar edhe më shumë nga një publicitet që reklamonte hapjen e dyqanit në oborrin kryesor të “Elysee”-së gjatë fundjavës, ku mbi 200 mijë njerëz përfituan nga rasti i kësaj ceremonie teksa vizitonin pallatin presidencial francez.

Katalogu i rreth 60 sendeve në total, që variojnë nga 2 euro për një kartolinë presidenciale, deri në 250 euro për një byzylyk të ngjashëm me veroret tona, përfshin gjithashtu edhe unaza, stilolapsa, portrete kartolinash të Emmanuel Macron, si dhe flamuj francezë.

Gota që mban portretin zyrtar të presidentit kushton vetëm 25 euro; një bluze e bardhë me portretin e Zonjës së Parë të Francës kushton 55 euro, ndërsa një zhup me mbishkrimin “Français” apo “Française” kushton rreth 115 euro.

Macron është bërë pjesë e një spoti publicitar jo edhe aq delikat, duke mbajtur një prej sendeve më të shtrenjta të dyqanit virtual, një orë “LIP” me kosto 169 euro me rripin tringjyrësh: blu, të bardhë e të kuq.

“Elysee”-ja, që këmbëngul se të paktën gjysma e suvenireve kushton më pak se 15 euro, ka njoftuar se planifikon ta zgjerojë gamën e sendeve.

“Nga viti 2019, produktet do të zhvillohen nën markat e licencuara franceze dhe do të jenë të disponueshme në të gjithë rrjetin e dyqaneve, shitësve dhe për eksporte të huaja”, thuhet në një deklaratë. “Kjo shpërndarje më e gjerë do t’i ekspozojë më shumë emrat e markave, vlerat e Republikës së Francës, kulturës franceze dhe asaj që njihet si ‘savoir faire’”.

“Elysee”-ja përfiton vetëm 12 për qind të shitjeve të sendeve 100 për qind “prodhim francez” dhe shpreson që t’i shfrytëzojë këto fonde për restaurimin e pallatit presidencial 300-vjeçar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA