Të hënën në kryeqytet, në 274 institucione arsimore, 9-vjeçare dhe të mesme, nis viti i ri shkollor. Policia e Tiranës thotë se ka hartuar një plan masash për mbarëvajtjen, para, gjatë dhe pas procesit mësimor.
“Këtë vit, që nga muaji qershor puna e policisë ka një organizim ndryshe. Deri dje, një patrullë shërbente në zona të ndryshme, ndërsa sot do të shërbejë vetëm në një zonë të caktuar. Në këtë mënyrë njeh dhe kontrollon më mirë zonën, problematikat, personat me precedentë, në rastin konkret edhe vendndodhjen e objekteve arsimore”, tha Dhimitraq Ziu, zv.drejtor në Policinë e Tiranës.
Policia kërkon që nisma për oficerin e sigurisë të shtrihet sa më shpejt në të gjitha shkollat.
“Ka qenë një boshllëk, ndryshe është kordinimi me drejtorët e shkollave, ndryshe me oficerin e sigurisë, i cili në punën e tij ka elementë teknikë që ngjasojnë me punën e policisë dhe transmeton më mirë frymën te nxënësit dhe stafi pedagogjik”, tha më tej Dhimitraq Ziu.
Në planin e masave është parashikuar edhe patrullimi herë pas here pranë shkollave, nga agjentë të policisë kriminale për parandalimin e rasteve të tregtimit të lëndëve narkotike.
Top Channel