141 shfaqje në vetëm 3 muaj e gjysmë, duke përfshirë dy premiera baleti dhe një Grand Gala-Ballo Vjeneze në fundvit. Ky do të jetë kalendari i ardhshëm artistik për Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, i cili nis mbrëmjen e së enjtes.
Zana Çela, drejtoreshë e TKOB-së shprehet: “Do të jetë një kalendar shumë i ngjeshur dhe më i larmishmi përsa i përket gjinive artistike që ne do të trajtojmë gjatë periudhës shtator-dhjetor. Ky kalendar do të përfshijë 141 evente. Ne do të prezantojmë 9 premiera, të cilat i përkasin gjinive të ndryshme”.
“Në shtator do të nisim implementimin e protokollit të bashkëpunimit me 2 teatro internacionale: atë të Beogradit dhe Shkupit me shfaqje rivënie, që do t’i kemi gjatë këtij sezoni, të cilat janë opera “Carmen”, “Lakuriqi i Natës” dhe “Traviata”.
Sezoni çelet mbrëmjen e 13 shtatorit në skenën e teatrit “Turbina” me pjesën “Stabat Mater”.
Mexosopranoja Vikena Kamenica thotë: “Dvorzhak hyn tek autorët jo shpesh të luajtur, jo vetëm në teatrin tonë, por edhe më gjerë dhe që mban një peshë të fortë teknike dhe profesionale, që has vështirësi edhe për tu propozuar. Mban një forcë dhe një peshë shumë të madhe, gjë që e ka vendosur teatrin në një sfidë të fortë, por është një sfidë e bukur dhe them që është një nga hapjet më solemne që një teatër kombëtar, siç është ky i yni, mund të ketë”.
Top Channel