20 vjet nga vrasja e një prej figurave të rëndësishme të lëvizjes së dhjetorit ’90 dhe një prej themeluesve të Partisë Demokratike, Azem Hajdari vlerësohet si një figurë epokale, që ka lënë gjurmë me vlerat, por edhe kurajon e tij.
Për deputetin demokrat të vrarë mbrëmjen e 12 shtatorit të vitit 1998 para selisë së Partisë Demokratike, u organizua një simpozium dhe ekspzitë “Ëndrra e Azemit, Shqipëria si Europa”, që u hap nga vajza e tij, Rudina.
Presidenti Ilir Meta, edhe ai dikur pjesë e lëvizjes studentore të dhjetorit, tha se Azemin e dallonin shumë vlera: “Dua të vlerësoj në mënyrë të veçantë angazhimin e tij për çështjen kombëtare. Azemi ishte njeri i lindur i lirë, i guximshëm dhe këtë e tregoi përgjatë gjithë jetës së tij. Në genin e tij, ishte njeri demokrat”.
Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ndau këto kujtime për Azem Hajdarin: “Rrallë mund të gjendet një figurë në histori që u bë lider brenda një ore. Ai u bë lider duke vënë peng fëmijët e tij. Ai u tha studentëve se po të tradhtonte ata, do të tradhtonte Rudinën dhe Kirin”.
Simpoziumi për 20-vjetorin e Azem Hajdarit, ku ndanë kujtime personalitete e miq të tij, i la vend homazheve pranë memorialit të tij dhe në varrezat “Dëshmorët e Kombit”, ku ai prehet.
Vrasja e Azem Hajdarit u pasua nga një valë dhune që kulmoi me ngjarjet e 14 shtatorit, ndërsa 20 vjet pas ngjarjes, dosja e tij rihapet për ish-truprojën e Sali Berishës, Izet Haxhinë, i dënuar në mungesë, e që tani thotë se do të tregojë të vërtetat mbi misteret e vrasjes së Azemit.
Top Channel