Evropa duhet të qëndrojë krah për krah për të kundërshtuar “përbindëshin e shovinizmit” në zgjedhjet e ardhshme të BE-së në maj, ka thënë kryeministri grek, Alexis Tsipras, të martën para deputetëve evropianë në Strasburg.

Kryeministri grek tha se “ëndrra evropiane nuk mund të shtypet midis neoliberalizmit destruktiv dhe të djathtës ekstreme të tmerrshme”, duke shtuar se zgjedhjet evropiane “do të jenë më shumë se sa vetëm një palë zgjedhje tjera, këto do të jenë një luftë në bazë të parimeve dhe vlerave për të mposhtur neoliberalizmin dhe populizmin e djathtë ekstrem”, tha Tsipras.

“Në këtë luftë, të gjitha forcat progresive, demokratike dhe pro-evropiane kanë për detyrë të qëndrojnë krah për krah në anën e njëjtë të historisë. Ne nuk duhet të lejojmë që Evropa të rikthehet në të kaluarën”, paralajmëroi Tsipras eurodeputetët.

Kryeministri grek gjithashtu kritikoi institucionet e BE-së se po bëhen gjithnjë e më shumë “teknokratë”, me “vendime të marra pas dyerve të mbyllura”.

“Kjo do të thoshte se shumë shtresa të popullit tonë duhet të përballen me varfëri të mjerë të mbjellë me shumë frikë. Ky dështim i reagimit neo-liberal ndaj krizës ushqen përbindëshin e shovinizmit dhe populizmit të krahut të djathtë”.

Ai tha se dalja e vendit të tij nga programi i shpëtimit “nuk nënkupton kthim në të kaluarën”, por një “fillim të ri”.

Ai premtoi të vazhdojë modernizimin e administratës publike të Greqisë dhe të vazhdojë rrugën e “stabilitetit fiskal”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA