Një ndryshim i ri në skemën e dëmshpërblimit të ish-përndjekurve politikë u miratua nga Komisioni i Ekonomisë.
Sipas ministrisë së financave përshpejtohet dhënia e parave për subjektet që kanë më pak se 1 milionë lekë dëmshpërblim duke i marrë paratë me një këst, ndërsa për ish-të dënuarit politikë që janë gjallë hiqet kufizimi për shumën maksimale të kësteve.
“Në mos gabohem janë rreth 1200 dosje, parësore dhe jo parësore që do përfitojnë nga ky ndryshim ligjor. Nëpërmjet këstit të 9-të, ne do të mbyllim të gjithë pjesën e kategorisë parësore: të atyre që kanë vuajtur drejtpërsëdrejti dënimin”, u shpreh Ahmetaj në Komisionin e Ekonomisë.
Për Top Channel, PD deklaroi se ndryshimi i radhës i ligjit bëhet vetëm për të shtyrë në kohë dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Deputetja Jorida Tabaku tha se ulja e fondit është bërë që në buxhetin e këtij viti.
“Ndryshimet e fundit ligjore janë vetëm një shtyrje e pagimit të detyrimit për të përndjekurit politik. Reflektimi i ndryshimeve të fundit të këtij ligji është bërë që me Buxhetin e këtij viti. Qeveria në vend që t’i paguante ata 12-15 milionë euro, këtë vit ka llogaritur jë fond 2,2 milionë euro. Ky është krimi i dytë që bëhet ndaj të përndjekurve”, u shpreh Jorida Tabaku.
Sipas qeverisë shuma në total për t’u paguar për ish-të përndjekurit politikë dhe trashëgimtarët e tyre është 750 milionë dollarë, nga të cilat deri tani janë paguar 178 milionë dollarë.
Top Channel