Top Channel, nga dita e hënë, do të transmetojë me kualitetin më të lartë të mundshëm. Për këtë arsye mbyllen transmetimet analoge tradicionale të Top Channel në qarqet Tiranë dhe Durrës.
“Në 10 shtator, ora 10:00, do të fiken transmetimet analoge, tradicionale, që transmetohet që prej fillimit të aktivitetit të televizionit tonë. Programi i ri do të transmetohet me një kualitet të ri shumë të lartë HD dhe të gjithë teleshikuesit do të përfitojnë një cilësi figure të kualitetit më të lartë”,shpjegon Elton Poga, drejtor i frekuencave të larta, Top Channel.
Abonentët e “Digitalb” e kanë tashmë të listuar programin e Top Channel, ndërsa pjesa tjetër e teleshikuesve duhet të kenë një dekoder DVB=T2.
“Të gjithë teleshikuesit do të duhet të jenë të pajisur me një dekoder DVB=T2 për të parë programin tonë. Normalisht, të gjithë teleshikuesit të cilët janë pjesë e platformës së madhe Digitalb dhe që janë të pajisur me këtë dekoder, automatikisht e kanë të ruajtur dhe të listuar programin tonë. Për të gjithë teleshikuesit e tjerë do të duhet me patjetër të kenë një dekoder DVB=T2”, u shpreh Elton Poga.
Teleshikuesit e kanë të thjeshtë. Duhet vetëm të bëjnë kërkimin në kanalin e 59 UHF.
“Të gjithë teleshikuesit që kanë një dekoder tjetër i duhet të bëjnë një kërkim në kanalin 59 UHF, ku më pas do të listohen automatikisht kanalet”, thotë drejtori i frekuencave të larta në TCH.
Drejtimi i antenave nuk ndryshon, banorët e Tiranës drejt malit të Dajtit, ndërsa ata të Durrësit drejt radarëve të Marinës ose siç quhet ndryshe PSV2.
“Ky proces po ndodh vetëm për qarkun e Tiranës dhe të Durrësit. Zona e mbulimit nuk ndryshon. Antenat transmetuese nuk do të ndryshojnë”, thotë Poga.
Si gjithmonë, kanali më i madh i shqiptarëve Top Channel është pa pagesë.
Top Channel