Foto ilustruese

Në Kukës, duke nisur nga ky vit shkollor, Drejtoria Rajonale e Arsimit synon përqëndrim të shkollave. Në Bashkinë e Kukësit janë 13 shkolla me klasa kolektive. Më të rrezikuara janë ato të fshatrave, ku shkollat janë me kushte jo të mira dhe numri i nxënësve është i vogël.

Por, përqëndrimi i shkollave nuk është mirëpritur nga prindërit e nxënësve.

“Nuk jam dakord. Pse t’i nxjerrim fëmijët nga fshati, duke qenë shkolla këtu? Tre fëmijë kam, i dua këtu fëmijët. Mësuesit këtu janë, s’kemi ndonjë ankesë. Transporti sigurohet një muaj. Po gjatë dimrit çfarë do të bëjë fëmija im? Të shkojë në këmbë? Nuk na hapet rruga e fshatit, jo më të hapet për fëmijët”, tha një prind.

Përbalë këtij pretendimi të prindërve, drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale në Kukës, Skënder Ahmetaj thotë se, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, klasat kolektive do të mbyllen. Ahmetaj thekson se për nxënësit do të sigurohet transporti nga fshati ku jetojnë drejt shkollave.

“Ne nuk po mbyllim shkolla, por po bëhet përqëndrim i shkollave për shkak të rënies së numrit të nxënësve në klasat e ciklit të lartë, nga klasa e 6 në klasën e 9. Ky numër në shumë shkolla është nga 5 nxënës deri në 12 nxënës, gjë që e bën të pamundur zhvillimin e procesit mësimor. Në funksion të kësaj, ne mendojmë se kjo do t’i shërbejë rritjes së cilësisë, pasi nxënësit do ta zhvillojnë mësimin në klasa teke”, tha Skënder Ahmetaj, drejtori i DAR-it në Kukës.

Drejtoria Arsimore, përpara nisjes së vitit të ri shkollor ka nisur një sërë takimesh me komunitetin, për të bashkëpunuar me qëllim që shkollat me numër shumë të vogël nxënësish të përqëndrohen në shkollat më të mëdha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA