Si asnjëherë në historinë e panaireve ndërkombëtare, që zhvillohen në Selanik çdo vit në shtator, nuk janë parë masa të tilla sigurie.

Mbi 5.500 policë dhe 1.500 pjesëtarë të grupeve të ndërhyrjes së shpejtë janë të gatshëm të ruajnë rendin dhe qetësinë në këtë fundjavë, ku sipas traditës çdo kryeministër bën përurimin, mban një fjalim dhe në fund jep një konferencë shtypi për mediet vendase dhe të huaja.

Masat e rrepta, kësaj here shpjegohen përveç faktit se, vendin e nderit në panairin e 83-të ndërkombëtar të Selanikut e kanë Shtetet e Bashkuara, edhe me frymën e pakënaqësisë dhe zemërimit të një pjese të konsiderueshme të qytetarëve të Greqisë së Veriut për marrëveshjen e nënshkruar me Shkupin për emrin e Maqedonisë disa muaj më parë në Prespë.

Prej të premtes në mesditë, në qytetin e dytë më të madh të vendit ndodhen mbi 60 skuadra speciale të policisë, helikopterë, snajperë, dronë, por edhe agjentë të FBI-së të gatshëm të përballojnë protesta të shumta të planifikuara mbrëmjen e së shtunës.

Më kryesorja të shmangin provikimet mes pjesëmarrësve në mitingun e organizatave që kundërshtojnë marrëveshjen Tsipras-Zaev, si dhe të rinjve të grupeve anarkiste.

Policia ka arrestuar të paktën 4 persona që udhëtonin nga Athina drejt Selanikut, pasi ishin të pajisur me mjete të dhunshme si varre apo maska kundër bombave me gaz lotsjellës, me të cilat do të merrnin pjesë në protesta.

Prej mëngjesit të së shtunës dhe për dy ditë rresht, në rrugët kryesore të qendrës së qytetit, para panairit, ka kufizime të qarkullimit të automjeteve dhe transportit publik, si dhe të parkimit të makinave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA