Deklarata e fortë e Ramës: Drejtuesit në rrethe janë kthyer në ndërmjetës për punësime

07/09/2018 11:55

Në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste që po mbahet ditën sotme, Kryeministri Edi Rama lëshoi një deklaratë të fortë për drejtuesit e kësaj partie në rrethe, duke thënë që shumica e tyre ka braktisur detyrën dhe janë kthyer në ndërmjetës për punësime.

Të themi një të vërtetë me të cilën duhet të merremi duke filluar nga e hënë. Në territor partia është larg së qeni partia që duam në sfidat që do kemi më pas, shumica e drejtuesve tanë në territor e kanë braktisur detyrën dhe janë kthyer në ndërmjetës për punësime. Kjo është e patolerueshme ndaj betimit që ne kemi bërë për luftën për ta çuar tepsinë për skrap. Duhet të nisim menjëherë një proces thellimi për të qenë sa më pranë njerëzve, duke e prishur këtë paqe. Shqipëria nuk e ka luksin për të vazhduar të ketë brenda shtetit fole eksplozive për njerëz që nuk meritojnë të marrin rrogën nga taksapaguesit tanë. Askush nuk u ka kërkuar kryetarëve të PS në rrethe të jenë kuadro. Kur vjen puna për të kontribuar dhe për të ndërmjetësuar për shumçka që në bëjmë apo nuk bëjmë ne nuk i kemi në detyrë kryetarë e PS në rrethe. Në këtë proces duhet të jemi të bashkuar. Të gjithë së bashku”, tha Rama.

  Akuzoi policinë për paaftësi, Rama: Të përjashtohet deputeti i PS në Kurbin

Rama u tregua i prerë edhe me deputetin e Kurbinit, Gjetan Gjetani, për të cilin u shpreh se nuk meriton të jetë më pjesë e Partisë Socialiste. “Deputeti i PS i Kurbinit duhet përjashtuar nga PS. Kërkon ekskluzivet të vendosë shefa policish në Kurbin, e më pas del e flet kundër punës së Policisë së Shtetit. Ai nuk duhet të jetë më deputet i PS”, deklaroi Rama.

Më tej, Rama u shpreh se është koha për ta riformuar të gjithë strukturën e Partisë Socialiste. “Një fushatë anëtarësimesh është e domosdoshme. Ne na duhen njerëzit që kanë diçka për të thënë dhe për të dhënë. Më të mirët në çdo pjesë e territorit duhet të jenë pjesë e jona. Na duhet një hapje e madhe zemre dhe thellësisht e besueshme ndaj nesh. Nuk mund të pranojmë teatër. Duhet ristrukturuar rrënjësisht sekretariati i PS. Deputetëve u bëj një thirrje të fortë: Jeni atje për të gjithë dhe askush nuk u ka ngarkuar të bëni kuadrin. Ndërkohë që gjithkush kërkon prej nesh vetëm vëmendjen. PS ose do të bëhet me çdo kusht ose do të dështojë”, u shpreh kryeministri.

  Platforma e bashkëqeverisjes, Rama: Kryetarët e bashkive të papërgjegjshëm

Rama u tregua shumë i ashpër edhe ndaj kryetarëve të bashkive të Partisë Socialiste. Ai tha se ata janë arsyeja se pse nuk funksionon në disa raste platforma për bashkëqeverisjen. Rama u shpreh se qytetarët nuk kanë marrë zgjidhje pasi kryetarët e bashkive nuk përgjigjen ndaj ankesave të tyre.

Gjithashtu, Rama tha se fushata të nisë menjëherë duke kërkuar nga kryetarët e bashkive të fillojnë llogaridhënien, ashtu si bëri qeveria para pushimeve.

Atë që qeveria bëri para pushimeve, llogaridhënien, duhet ta bëjnë edhe të gjithë kryetarët e bashkive. Aty do të kuptohet nëse PS e ka më kryetarin e bashkisë për betejë apo të gjejë një tjetër. Kjo jo për të humbur kohë, por për të qenë “A”-ja e detyrë sonë, për të qenë pjesë integrale e njerëzve. Kryetarët e bashkive të PS nuk përgjigjen në ankesat e platformës. Të gjithë ata që shkruajnë në platformë marrin zgjidhje dhe nuk i pyet askush me kë janë. Ndërsa çdo ministër përgjigjet dhe zgjidh problemet”, tha kryeministri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA