Zona pas kanalit në Plepa është klasifikuar si një nga pikat më të ndotura, sipas raportit të cilësisë së ujrave bregdetare gjatë vitit 2017.

Ndotja vjen për shkak të shkarkimeve të ujrave të zeza. Mbetjet krijohen nga niveli i lartë i azotit në ujë. Në këtë mënyrë, deti pastron veten.

Edhe një turist polak u bë pjesë e këtij shqetësimi: “Është e tmerrshme si dhe e rrezikshme për njerëzit. Dje u ndjeva vërtet keq, më dhimbte stomaku. Në shumë qytete të botës, për vende të tilla ka tabela informuese”.

Raporti i cilësisë së ujrave bregdetarë në 102 stacione monitorimi në plazhet kryesore shqiptare të Adriatikut dhe Jonit, vlerësoi se në 3% të plazheve duhet të ishin marrë masa të menjëhershme, për shkak të ngarkesës së lartë bakteriale.

Por, ndotja e ujrave shpesh e ka origjinën edhe nga ajri, nga aktivitetet e anijeve dhe trageteve që emetojnë sasira të mëdha azoti dhe fosfori. Sipas raportit, duhet të ishte ngritur një grup pune për këto raste, si dhe të vendoseshin tabela informuese për cilësinë e ujrave. Por, në një nga pikat më të ndotura të monitoruara, asnjë nga këto masa nuk është marrë.

Pika kyçe në cilësinë e ujrave bregdetare janë edhe impiantet e trajtimit të ujrave urbane.

“Ujrat e zeza, pasi hynë në stacionin e pranimit, trajtohen. Pra, largohen mbeturinat, largohet rëra, largohet edhe fosfori. Këtu i japim oksigjen mikroorganizmave që të mos ngordhin dhe kështu llumi nga vetë fjala aktiv vazhdon trajtimin e vet biologjik duke shkuar te dekantuesi sekondar, ku bëhet ndarja e ujit të pastër nga ai i ndotur. Në temperaturë 29 gradë, ky ujë ngrohet dhe prodhon biogazin”, shpjegon drejtori i impiantit të trajtimit të ujrave në Durrës.

Por jo të gjitha kanalizimet e ujrave të zeza janë të lidhura me këtë impiant. Përgjatë plazheve të Durrësit, ashtu si te Plepat, ujrat e ndotura shkarkohen ende në det, duke e renditur këtë zonë në mesin e plazheve të rrezikshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA