Kaosi i ndërtimeve të dekadave të fundit dhe mungesa e projekteve të mirëfillta elektrike po kthehet në burim rreziku për shumë banorë dhe sidomos ata të lagjeve periferike në Gjirokastër.

Nga ana tjetër prania e kabinave elektrike mjaft të amortizuara pjesë e linjës 20KW brenda pallateve të banimit për objektet e ndërtuara prej fillimit të viteve ’60 duket se nuk ofron më garanci për jetën e banorëve.

Qytetarët e një pallati në lagjen “Punëtori” në Gjirokastër thonë se bashkëjetojnë më frikën nga kabina elektrike e katit të parë. Ata thonë se gjendja e kabinës pronë e OSHEE mbetet problematike megjithëse porta e saj është ndërruar rreth 1 muaj më parë pas ankesave të shumta të banorëve.

Banorët janë të frikësuar për shkak të shkëndijave që dalin prej hyrjes së kabinës dhe zhurmave që krijohen brenda kabinës. Defektet elektrike e kanë shpërthyer disa herë portën ndërsa banorët mendojnë se thjesht i ka ndihmuar fati që ende nuk ka të lënduar prej këtyre incidenteve.

Por në një reagim të OSHEE kompania thuhet se nuk ka asnjë rrezik për kabinën që ndodhet në këtë zonë dhe ajo është brenda normave të sigurisë. Sipas OSHEE, kabina është e kontrolluar dhe investim i kohëve te fundit ku nuk ka patur asnjëherë ndonjë incident.

Megjithatë gjatë 5 viteve të fundit kanë humbur jetën nga rryma elektrike në kushte e rrethana të ndryshme të paktën 8 persona në të gjithë qarkun Gjirokastër. Por numri i të aksidentuarve të cilët i kanë shpëtuar vdekjes është më i lartë.

Hetimet e rasteve vërejnë se në më shumë se 80 për qind të rasteve qytetarët janë viktima të kontaktit të pavullnetshëm me tensionin e lartë në kohën që kanë qenë duke kryer punë të ndryshme kryesisht në tarracën e pallateve apo të bizneseve dhe shtëpive. Disa aksidente kanë ndodhur në kohën që është tentuar të hidhet soletë në katin e tretë, është synuar të lyhet tarraca apo edhe veprime të lidhjes së paligjshme të energjisë nga shtyllat e tensionit të lartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA