“Teatri”, Ruçi: Do konsultohemi. Do shkonim në Shkodër, bashkë me opozitën

04/09/2018 15:35

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi është zyrtari i dytë dhe më i larti deri tani që lë të hapur qëndrimin e mazhorancës për sa i përket dekretit presidencial mbi ligjin e Teatrit.

Në korrik socialistët ishin të vendosur ta rrëzonin në rastin më të parë, ndërsa tani duan të presin e ta shqyrtojnë.

“Është përgjegjshmëri për të shqyrtuar me shumë vëmendje, me shumë interes, sensibilitetet e publikut, ashtu si për të studiuar dhe për t’i implementuar apo argumentimet që ka bërë Presidenti. Ashtu si ju keni dëgjuar që për këtë çështje ka impenjim dhe nga Komisioni Europian”, tha Gramoz Ruçi.

Gjatë bisedës me gazetarët, Top Channel pyeti Ruçin mbi deklaratën e Lulzim Bashës që nga Shkodra e quajti Parlamentin një “fole krimi”. A e lexon kreu i Kuvendit këtë si paralajmërim për bojkot apo djegie mandatesh?

“Kuvendi nuk mund të konsiderohet fole kriminelësh. Unë i kam provuar të dyja, luftën politike brenda dhe jashtë sistemit, por më rezulton se efektiviteti i një opozite është lufta dhe përpjekjet brenda sistemit dhe jo jashtë tij”, tha kreu i Kuvendit.

Viktimë e klimës së ndezur politike rrezikon të mbetet reforma zgjedhore, mbi të cilën palët deri tani dialoguar duke gjetur konsensusin mbi pika të ndryshme.

Edhe në këtë rast, kryeparlamentari duket se kishte një mesazh dhe një këshillë për Lulzim Bashën.
“S’ka vakuum ligjor, kodi ekziston. Kur isha ne opozitë gjëja e parë që më interesonte ishte përmirësimi i kodit zgjedhor”, tha Ruçi.

Por opozita duket se nuk dëshiron të dëgjojë nga ky vesh për momentin dhe ka shpallur si prioritet numër një shkëputjen e atyre që i quan lidhje mes Qeverisë dhe krimit. Por Gramoz Ruci nuk pranon t’u japë ngjyra politike fanellës së kriminelëve.

“Më vjen keq që bëhet kauzë politike. Krimi nuk ka ngjyrë dhe kur të merr, ai nuk të pyet as për kë voton dhe as kujt subjekti politik i përket. Do të isha i lumtur nëse ai gjest të bëhej nga opozita dhe i gjithë parlamenti shqiptar të shkonte në Shkodër”, tha Ruçi.

Dikur protagonist i tryezave të dialogut të nivelit të lartë mes mazhorancës dhe opozitës, Ruci këshilloi krerët përkatës të këtyre grupimeve që të ulen vetë përballë njëri-tjetrit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA