Një video e publikuar në llogarinë e kryeministrit grek në Facebook tregon momentin kur Alexis Tsipras përqafon 3 emigrantë, një shqiptar dhe dy egjiptianë që punojnë si peshkatarë në Nea Makri, dhe i falënderon për ndihmën që ata dhanë bashkë me peshkatarë të tjerë të kësaj zone, duke shpëtuar dhjetëra jetë njerëzish ditën e zjarreve vrastare në zonën e Matit.

Pas falenderimeve, ai deklaron se ka dhënë urdhër te ministri i Brendshëm që t’u japë atyre nënshtetësinë greke për sakrificën që ata bënë. Shtetasi shqiptar dhe dy egjiptianët, bashkë me shumë peshkatarë të tjerë të zonës, gjatë të gjithë natës kur flakët e mëdha shkrumbonin qindra shtëpi e merrnin dhjetëra jetë njerëzish, kanë shpëtuar me varkat e tyre dhjetëra të tjerë.

“Peshkatarët e Nea Makrit, vendas dhe emigrantë, bënë një betejë heroike gjatë tragjedisë, duke shpëtuar jetë. Shteti u njeh atyre këtë sakrificë. Ne i falënderojmë ata”, shkruan kryeministri Tsipras edhe në llogarinë e tij në Twitter.

Dekreti për 3 emigrantët që jetojnë në Greqi për gati 20 vite iu dërgua presidentit të Republikës për miratim.

Në shumë medie greke, vendimi i Tsiprasit është pritur me pozitivitet, ndërsa është krahasuar edhe me aktin e ngjashëm të presdientit francez Macron, që i dha nënshtetësinë franceze disa muaj më parë një 22-vjeçari nga Mali, i cili ngjiti pas asnjë lloj mbrojtjeje 5 kate të një ndërtese duke u kacavjerrë nëpër ballkone, për t’i shpëtuar jetën një fëmije që ishte duke rënë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA