Një operacion i përbashkët mes policisë shqiptare dhe asaj greke ka sekuestruar 5 mjete lundruese, ndërsa ka vënë në pranga 4 persona.
Në pranga nga policia jonë janë vënë shtetasit F.Ll, 17 vjeç dhe i mituri A.D., 15 vjeç, të dy banues në fshatin Shëndëlli, Sarandë. Sipas policisë, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative për persona që vidhin mjete lundruese nga fshati Shëndëlli, Sarandë, më datë 02.09.2018, në grykëderdhjen e lumit “Pavllo”, shërbimet e Policisë si rezultat i operacionit bënë të mundur bllokimin i një mjeti lundrues tip Gomone me mbishkrimin “Highfield”.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit A.D, u gjet dhe u sekuestrua një mjet lundrues varkë plastike me mbishkrimin “Evinrude”, pa dokumentacion.
Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me Policinë Greke, është bërë i mundur arrestimi i dy shtetasve të tjerë në Ishullin e Korfuzit Greqi, të cilët janë kapur në flagrancë duke vjedhur mjete lundruese (skafe): K.P, 17 vjeç, banues në fshatin Shëndëlli. K.D, 20 vjeç, banues në fshatin Shëndëlli.
Nga ana e policisë shqiptare janë bllokuar dhe sekuestruar 2 mjete lundruese:
– Gomone “Highfield”, motor “Mërkuri” me 9HP.
– Varkë plastike “Evinrude” 25 HP.
Ndersa policia greke ka sekuestruar 3 mjete të tjera lundruese në Ishullin e Korfuzit, Greqi.
Top Channel