Bashkia e Librazhdit ka denoncuar në polici djegien e mbetjeve urbane, të cilat për ditë me radhë helmuan të gjithë qytetin dhe fshatrat rrotull.

Duke e cilësuar një akt të qëllimshëm, kryetari i bashkisë bëri thirrje për zbardhje të plotë.

“Ne si bashki kemi bërë denoncim në polici dhe kërkojmë zbardhjen e kësaj ngjarjeje që për fat të keq është e përsëritur. Edhe herë të tjera persona të papërgjegjshëm kanë djegur mbeturinat në qytet”, tha kryebashkiaku Kastriot Gurra.

Një përrua shumë pranë qytetit, për 10 vite me radhë është përdorur si venddepozitimi për mbetjet urbane, ndërsa për situatën e krijuar në këtë zonë, Bashkia e Librazhdit kërkon ndihmën e Ministrisë së Mjedisit.

“Varianti i parë, shumë i kushtueshëm, është që ne t’i marrim mbeturinat nga aty dhe t’i transportojmë në inceneratorin e Elbasanit. Varianti tjetër është izolimi i mbeturinave duke mbjellë pemë dhe hedhur dhe”, u shpreh kryebashkiaku.

Ndërkohë, që prej një muaji, Bashkia e Librazhdit i trajton mbetjet urbane në inceneratorin e Elbasanit. Drejtuesit e këtij të fundit u bëjnë thirrje të gjitha bashkive të qarkut të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe t’i japin fund ndotjes.

Për sa kohë mbetjet e 10 viteve të qëndrojnë në përrua, me zjarre të qëllimshme apo të paqëllimshme, situata do të jetë problematike dhe e pazgjidhur, ndërsa Librazhdi do të vuajë ndotjen që vjen prej tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA