Mazhoranca nuk është më aq e vendosur për miratimin e shpejtë të ligjit për Teatrin Kombëtar. Në korrik kishte deklaruar se do ta rrëzonte menjëherë dekretin e Presidentit Ilir Meta, ndërsa tani shprehet e gatshme të shqyrtojë argumentet për të cilat Kreu i Shtetit ktheu ligjin për rishqyrtim në Kuvend.
Për këtë arsye, gjatë Konferencës së Kryetarëve, Partia Socialiste kërkoi spostimin e dekretit në kalendar. Kjo nuk e qetësoi opozitën, që bojkotoi seancën e çeljes së sesionit të ri parlamentar, ku Gramoz Ruçi u gjend me sallën gjysmë bosh.
“Ftoj të gjitha grupet politike që të ndajnë luftën për betejën e pushtetit të radhës nga lufta jonë e përbashkët për integrimin e Shqipërisë në Evropë”, deklaroi Ruçi.
Në të njëjtën orë me nisjen e Parlamentit në Tiranë, deputetët e opozitës u mblodhën në Shkodër, në shenjë solidariteti pas situatës së rendit të krijuar në qytet pas vrasjeve të fundit. Lulzim Basha u shpreh: “Prioriteti numër 1 është çlirimi i Shqipërisë nga krimi dhe i qeverisjes nga krimi. Çfarëdo sakrifice që kjo të kërkojë, nuk ka prioritet tjetër”.
Në distancë replikoi ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, sipas të cilit, opozita përpiqet të krijojë një perceptim të gabuar mbi rendin: “58 në mandatin e tyre të parë, 72 në mandatin e dytë. Ndërsa ne e kemi 43 na mandatin tonë të parë dhe 24 në këtë vit. Në Shkodër sërish ka mesatarisht më pak vrasje në mandatet tona”.
Nga Tirana, mazhoranca nuk e kurseu gatishmërinë për të dialoguar me opozitën, sidomos përsa i përket reformës zgjedhore. Taulant Balla tha: “Jemi të gatshëm të diskutojmë dhe miratojmë së bashku me opozitën mundësinë e pilotimit të votimit dhe numërimit elektronik “offline”. Kërkesë e cila ka qenë parakusht i kahershëm i Partisë Demokratike për reformën zgjedhore”.
Por, Lulzim Basha nga Shkodra u duk sikur mbylli derën, duke ngritur pikëpyetje mbi fatin e kësaj reforme: “Asnjë reformë, asnjë ligj, asnjë akt nuk ka domethënie pa çliruar qeverisjen nga krimi”.
Në Parlamentin e Tiranës ra në sy heshtja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa në Parlamentin e Shkodrës u vu re mungesa e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi.
Top Channel