Mazhoranca nuk është më aq e vendosur për miratimin e shpejtë të ligjit për Teatrin Kombëtar. Në korrik kishte deklaruar se do ta rrëzonte menjëherë dekretin e Presidentit Meta, ndërsa tani shprehet e gatshme të shqyrtojë argumentet për të cilat Kreu i Shtetit ktheu ligjin për rishqyrtim në Kuvend. Për këtë arsye, gjatë Konferencës së Kryetarëve PS kërkoi postimin e dekretit në kalendar.
Por kjo nuk duket të ketë qetësuar opozitën, që ligjin për teatrin e quan një vijë të kuqe. Pas një takimi të kryedemokratit Basha me aleatët në selinë blu, PD, LSI dhe partitë e tjera opozitare kanë vendosur të mos marrin pjesë në seancën plenare të nisjes së sesionit parlamentar.
Opozita do të jetë në Shkodër në orën 17:00 kur është parashikuar edhe mbledhja plenare e Kuvendit, si mesazh qëndrese kundër krimit, që sipas demokratëve ka mbështetje qeveritare.
Mësohet se PD e vlerëson situatën në Shkodër si më të rëndësishme se seanca, ndaj ka vendosur të shkojë atje për të evidentuar kontrastin e asaj që e quan fasadë parlamentare.
Nisja e punime parlamentare nuk vuri në lëvizje vetëm opozitën. Edhe socialistët mblodhën Kryesinë e partisë së tyre ku u zyrtarizua thirrja e Asamblesë për të premten 7 shtator.
Kryesia e PS vendosi gjithashtu që kryebashkiakët socialistë dhe këshilltarët të nisin një tur llogaridhënieje në zonat përkatëse si dhe hapjen e një fushate të re anëtarësimesh në parti. Ndryshime pritet që të ketë edhe në sekretariatin e partisë, ku nuk përjashtohet një rikthim i Bashkim Finos.
Top Channel