Pas kryetares së Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka reaguar edhe Partia Demokratike, pas vrasjes së biznesmenit në Shkodër ditën e sotme.
Me anë të deputetit Ervin Salianji, PD thotë se në vetëm pak muaj në Shkodër kanë ndodhur 6 vrasje dhe sipas kësaj partie, kjo është dëshmi se Shkodra ndodhet nën terrorin e krimit dhe bandave me mbështetje qeveritare.
“Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj edhe sot refuzuan të përballen me realitetin e përkeqësuar të sigurisë, duke fshehur situatën e rëndë kriminale në qytetet më të mëdha të vendit. Në Fier, Vlorë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër krimi sundon bashkë me qeverinë qëndrore dhe lokale të Edi Ramës, çka e provoi sot vrasja tjetër mafioze dhe e pazbuluar në Shkodër. Vrasja e sotme është në serinë e vrasjeve dhe rrëmbimeve të ditëve të fundit në zonën e Shkodrës, ku në pak muaj ka patur 6 viktima, dy të zhdukur dhe 3 automjete të djegur. Familjarët dinë çdo motiv të krimeve që po kryhen nga bandat, edhe policia i di, edhe qytetarët e frikësuar flasin nën zë për autorët, por policia nuk ndërhyn për të gjetur autorët, sepse është ulur në prehrin e bandave me mbështetje politike. Dy ditë më parë paralajmëruam që situata kriminale në qytetin e Shkodrës do të përkeqësohet akoma më shumë, sepse krimi dhe bandat e lidhura me qeverinë janë më të forta se ligji. Bashkëqeverisja e Edi Ramës me krimin është arsyeja pse më Shkodër regjistrohet sot viktima e pestë në pak muaj dhe policia nuk gjen autorët që i njohin të gjithë”, tha deputeti i PD.
Ndër të tjera, Salianji tha se për sa kohë do të kemi një kryeministër të lidhur me krimin, jeta e shkodranëve dhe e qytetarëve, familja, biznesi i tyre do të jenë nën mëshirën e bandave.
Salianji përmendi edhe emra konkret, të cilat sipas tij po terrorizojnë Shkodrën.
“Banda e lidhur me qeverinë dhe me Edi Ramën, që njihen në Shkodër si banda e Bajrajve, ka totalisht nën kontroll qytetin e Shkodrës, qytetarët e të cilit janë të terrorizuar, sepse, nën mbrojtjen e qeverisë, Bajrët bëjnë ligjin! Ata janë të paprekshëm dhe janë ata që vendosin për jetën dhe biznesin e shkodranëve. Kryeministri dhe ministri i brendshëm kanë marrë mesazhe nga qytetarë të Shkodrës që denoncojnë dhe dëshmojnë për krimet e bandës së Bajrëve, por askush nuk përgjigjet! Mesazhet e qytetarëve përfundojnë në celularët e të paprekshmëve dhe bandave të qeverisë.
Ai tha se “bashkëqeverisja e Edi Ramës me krimin është arsyeja pse policia hesht prej 10 ditësh për rrëmbimin dhe zhdukjen e dy kushërinjve që, siç thuhet në Shkodër, janë ekzektuar nga bandat që mbështesin dhe mbledhin vota për Edi Ramën në Shkodër”.
“Shqiptarët nuk e meritojnë këtë qeveri dhe kryeministër të lidhur kokë e këmbë me krimin e organizuar, por qytetarët duhet ta dinë se përsa kohë do të kemi një kryeministër të lidhur me krimin, jeta e tyre, familja, biznesi i tyre do të jenë në mëshirën e bandave. Shqiptarët meritojnë një qeveri që lufton me zero tolerancë krimin e organizuar!”. Partia Demokratike garanton qytetarët se që ditën e parë në pushtet do të nisë shtypjen dhe çmontimin e krimit të organizuar, ne do të realizojmë shkëputjen e politikës nga krimi dhe do të çojme prapa hekurave të burgut këdo që cënon sigurinë e qytetarëve shqiptarë”, mbyllet deklarata e PD.
Top Channel