Kjo e premte ka qenë dita e fundit e Romana Vlahutin në rolin e ambasadores së BE në Shqipëri, e përmes një postimi në “Twitter”, ajo ka shprehur vlerësimet e saj për këto vite qëndrim në vendin tonë.

Teksa vlerëson se mundësia për ta ndarë jetën me njerëzit e mirë të Shqipërisë, për katër vitet e fundit, ka qenë një dhuratë e mrekullueshme për të, Vlahutin thekson se është mirënjohëse që ka pasur privilegjin të punojë në dobi të Shqipërisë dhe Europës.

Sipas saj, Shqipëria po punon fort për vendin e saj në BE, që i takon me të drejtë.

“Sot është dita e fundit e mandatit tim si ambasadore e BE-së në Shqipëri. Do të jem gjithnjë mirënjohëse për privilegjin që m’u dha për të punuar në dobi të Shqipërisë dhe Europës. Shqipëria po punon fort për vendin e saj në BE, që i takon me të drejtë. Mund t’ju uroj vetëm që të keni forcë dhe vendosmëri për ta arritur këtë qëllim sa më shpejt. Sa për mua, personalisht, mundësia për ta ndarë jetën me njerëzit e mirë të Shqipërisë, dhe për ta pasur Shqipërinë shtëpinë time për katër vitet e fundit, ka qenë një dhuratë e mrekullueshme. Faleminderit”, shkruan Vlahutin.

Romana Vlahutin do të zëvendësohet në këtë post nga Luigi Soreca.

Soreca ka qenë Drejtor për Sigurinë në Komisionin Europian. Ai ka qenë përgjegjës dhe për koordinimin e dialogut të liberalizimit të vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA