Shkodër, ushqimet shiten në rrugë. Tregu i ri nuk është ndërtuar ende

31/08/2018 12:25

Në tregun e Rusit në Shkodër, tregtarët kanë zënë jo vetëm trotuaret, por kanë zbritur edhe në rrugë.

Higjiena këtu është luks, ndërsa ushqimi i shëndetshëm, ndoshta iluzion. Tregtarët janë të vetëdijshëm për kushtet, por sytë i mbajnë ende nga bashkia për ndërtimin e tregut të premtuar brenda 3 muajsh, afat i cili tashmë është tejkaluar.

“Këtu duhet të qëndronim nga prilli në korrik. Kaloi korriku, po ikën gushti dhe nuk dihet se kur mund të hyjmë në tregun e ri”, thonë tregtarët.

Për blerësit ky treg është sa i favorshëm për çmimet e ulta, aq edhe një sfidë për shkak të mungesës së higjienës.

“Kushtet nuk janë normale, por kjo është Shqipëria”, thonë konsumatorët.

Bashkia kishte deklaruar se qershori do të ishte afati i fundit i përfundimit të punimeve në tregun e ri dhe sot është dita e fundit e gushtit. Është ende vapë dhe ushqimet në Shkodër vazhdojnë të tregtohen jashtë standarteve normale të jetesës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA