Kryeministri Edi Rama, në një takim me kryetarët e bashkive dhe prefektët paraditen e së premtes, deklaroi se qeveria ka fokusuar përpjekjet e saj në zhvillimin e turizmit, gjë që ka ndikuar në ekonominë shqiptare.
“Kemi fokusuar përpjekjet tona te turizmi dhe ka patur rritje të numrit të turistëve. Impakti në ekonominë vendore ka qenë i rëndësishëm, ka pasur hapje biznesesh të reja. Në disa zona turistike, shifrat janë domethënëse: 22% më shumë punësime në Sarandë, deri 7% në Vlorë dhe Lezhë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se “pavarësisht ndonjë mungese të paevitueshëm, ka pasur rritje të konsiderueshme të shitjeve me TVSH, që do të thotë rritje e formalizimit”.
Pasi shprehu keqardhjen që në një takim “për interesin e përbashkët” nuk ishin të pranishëm kryebashkiakët e opozitës, Rama pati një kritikë për të pranishmit dhe kritika kishte lidhje me agro-turizmin.
“Ju lutem që të fokusoheni te agro-turizmi sepse është e papranueshme që ndërkohë që potenciali i agro-turizmit është kaq i madh, ne të mos kemi aplikues për grante. Ne nuk kishim aplikime sa duhet nga bashkitë, ndërkohë që duhet të mos kishim grante sa duhej për aplikuesit e shumtë. Duhet bërë më shumë në këtë aspekt”, theksoi Rama.
Top Channel