Në një takim ditën e sotme me strukturat e partisë së LSI në Tiranë, kryetarja e kësaj partie Monika Kryemadhi ka dënuar sulmin me armë ndaj banesës së babait të gazetares Klodiana Lala, duke e quajtur atë sulm ndaj të gjithë shqiptarëve.
“Sot më lejoni që jo vetëm në emrin tuaj, por edhe në emër të gjithë anëtarëve të LSI të shprehim jo vetëm solidaritet por edhe mbështetjen e plotë gazetares Klodiana Lala dhe familjes së saj. Nuk është hera e parë që kërcënohet apo shantazhohet për shkak të detyrës por ajo sot ka qenë përballë një dhune kriminale ndaj saj dhe familjes së saj. Sot me Klodi Lalën dhe të vërtetën janë të gjithë shqiptarët, nuk janë vetëm deklaratat tona politike apo njerëzit e afërm të saj. Akti kriminal ndaj saj tregon edhe njëherë që sot në Shqipëri bandat, krimi janë ulur këmbëkryq dhe kurajo e tyre ka kaluar çdo kufi njerëzor. Breshëria e automatikut në pragun e shtëpisë së Klodiana Lalës nuk është vetëm tek ajo si gazetare por është te të gjithë ne dhe në pragun e shtëpisë së çdo shqiptari”, tha Kryemadhi.
Top Channel