Përveç shkollës “Kosova” që u ndërtua e re, edhe “Dora D’Istria” është zgjeruar edhe rikonstruktuar. Tanimë, kjo shkollë 9-vjeçare ka 12 klasa të reja të rikonstruktuara.
Nxënësit që frekuentojnë këtë shkollë nuk do të zhvillojnë mësimin me dy turne.
“Më vjen mirë që, pas 20 e ca vitesh, shkolla shpëton nga mësimi me dy turne dhe fjala dy turne nuk do jetë më në fjalorin e ish-shkollës “20-vjetori”, sot “Dora D’Istria”. Kemi shtuar 12 klasa, pra është shtuar një krah i plotë i shkollës, është rikuperuar një pjesë e degraduar për aktivitete sportive, është riparuar palestra, kemi futur sistemin e ngrohjes me një dhomë teknike dhe pajisjet për sigurinë e nevojshme”, deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kryetari i bashkisë u bën thirrje prindërve që ta dërgojnë fëmijën në shkollën e afërt me qëllim shmangien e mbipopullimit për arsye preferencash: “Kjo është një shkollë kryesisht për Njësinë 10 dhe nxënësit e kësaj njësie. Në secilën prej njësive po bëhen shkollat e reja. Duke qenë se edhe portali po çon mësuesit më të mirë në shkollat e reja, dua të inkurajoj të gjithë prindërit ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Shkollat nuk kanë të njëjtin reputacion si në vitet ‘70, si në vitet ‘80-’90; pra, nuk jetojmë dot me legjenda urbane. Një shkollë e mirë është si fillim një shkollë afër shtëpisë. Dëshira për t’i çuar në cepa të ndryshëm të qytetit, për një shkollë më të mirë publike, është e pajustifikuar me fakte. Sot, faktet po flasin se shkollat që po marrin dhjeta, që po fitojnë olimpiada, që po fitojnë konkurse të ndryshme, janë në fakt shkollat ku shumica e nxënësve vjen nga ajo rrethinë dhe shkollat ku numri i klasave është i arsyeshëm, sipas rekomandimit të Ministrisë së Arsimit”.
Top Channel