Kryeministri grek, Alexis Tsipras ka tentuar të rigjallërojë qeverinë e tij të dobësuar me përfshirjen e një grupi të rinjsh në kabinet, në përgatitje e sipër për zgjedhjet e përgjithshme që ai vet i ka përshkruar si “nëna e të gjitha betejave”.
Përpara zgjedhjeve vendimtare të vitit 2019, ish-politikani i së majtës radikale prezantoi 13 ministra, shumica e të cilëve mes të 30-ave dhe të 40-ave, në atë që është përshëndetur si një ndryshim i bashkërenduar për të përfituar më shumë terren drejt qendrës. Gjashtë prej emrave të rinj janë femra. Postet kyçe, gjithsesi kanë mbetur të paprekura, duke qenë se ministri i Financave, ai i Mbrojtjes, i Punësimit dhe ai i Jashtëm ruajnë portofolet e tyre.
Duke folur përpara riformatimit, Tsipras tha përpara partisë së tij “Syriza” se ndryshimet vijnë pas nevojës për rinovim, pasi Greqia e mbytur nga borxhet hyn tashmë në një epokë të re, vetëm pak ditë pasi i dha fund ndihmës më të madhe të huadhënies ekonomike në historinë e financave globale.
“Do të jetë nëna e të gjitha betejave”, tha ai, duke hedhur kështu “gurin e parë” në atë që pritet të jetë një fushatë tejet e nxehtë zgjedhore. Zgjedhjet mund të mbahen në vjeshtë të vitit të ardhshëm. “Vendi ynë, qeveria dhe partia kanë nevojë për gjak të ri dhe më shumë uri për punë”.
Popullariteti i Tsiprasit, i tronditur pas implementimit të masave shtrënguese për të cilat u zotua se do t’i zmbrapste, mori një tjetër goditje këtë verë, pasi qeveria e tij nuk arriti të menaxhonte siç duhej një shpërthim katastrofik zjarresh në periferitë e Athinës.
Numri i viktimave nga zjarret e verës u rrit në 97 këtë javë, ndërsa autoritetet kanë njoftuar zyrtarisht se 25 persona mbeten ende në spital, 5 prej të cilëve nën kujdes intensiv.
Irritimi i publikut për atë fatkeqësi, që konsiderohet tashmë si një nga më të këqijat në kujtesën e qytetarëve, ka përkeqësuar edhe më tej zemërimin mbi zbatimin nga ana e qeverisë të shkurtimeve buxhetore dhe të pensioneve, në këmbim të fondeve ndërkombëtare të shpëtimit për të shmangur daljen e vendit nga Eurozona.
Sondazhet e fundit të opinionit tregojnë se partia kryesore opozitare, “Demokracia e Re” udhëheq me 5 deri në 10 pikë përqindjeje, më shumë sesa në përfundim të 3 viteve të para të “Syrizës” në bashkëqeverisje me partinë e vogël të së djathtës “Grekët e Pavarur”.
Top Channel