PD: Rama i jep 15 milionë euro tendera baxhanakut

28/08/2018 11:30

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku u shpreh paraditen e së martës se “për të përfituar tender publik në Shqipëri, duhet të jesh mik i kryeministrit ose kriminel”, duke denoncuar një firmë që, sipas PD-së, “ka mundur të përfitojë 15.6 milionë euro tendera nga shtatori 2013 deri më sot”.

“Në Shqipëri mund të fitosh një tender publik vetëm nëse je i lidhur me qeverinë. Rasti i Mond Begos, i cili pasi ka ndryshuar katër apo pesë emra duke krijuar kompani nga hiçi për të fituar tendera publikë. Ky nuk është vetëm konkluzioni i Partisë Demokratike, ky është konstatim i raportit të fundit të DASH, i Gjykatës Europiane të auditimit dhe strategjisë së zgjerimit. Por kjo fatkeqësisht është dhe e vërteta e publikuar nga raportet e Agjensisë së Prokurimit Publik. Por, për të përfituar një tender publik është e domosdoshme që të jesh edhe brenda rrethit familjar të kryeministrit Rama, oligark brenda kryeministrit, ose kriminel me rekorde kriminale. Firma ABS, që Partia Demokratike po denoncon sot, jo rastësisht është e lidhur me familjen e kryeministrit, ka mundur të përfitojë 15.6 milionë euro tendera nga shtatori 2013 deri më sot. Kompania “Advanced Business Solutions” zotërohet në bashkëpronësi nga baxhanaku i kryeministrit, Armand Frangu, i cili së bashku me kompaninë B360 marrin pjesë gjithmonë në të njëjtat tendera, gjithmonë duke ndarë përfitimet me njëri-tjetrin”, tha Tabaku.

Sipas deputetes demokrate, kjo bëhet “si rregull për ta bërë garën në dukje të ligjshme, por nga ana tjetër është thjesht vetëm një farsë”.

“Në tenderin e fundit të ofruar nga OSHEE me një vlerë prej 1.94 mld lekësh (të vjetër) kompania ABS ka pasur ofertën më të lartë dhe përsëri ka fituar. Ndërkohë që kompania B360 shpk ka marrë pjesë në këtë tender si spektator. Jo vetëm kaq, por Partia Demokratike këtu publikon të 27 tenderat që kjo kompani ka fituar nga shtatori 2013 e deri më sot. Të gjitha këto tendera janë qoka që kryeministri ka rezervuar nga tepsia e parave publike, për njeriun e familjes së tij. Tenderi më i fundit i marrë nga kompania e tij nga AKSH-i, ka një vlerë prej 1.56 miliardë lekësh dhe përsëri ka fituar oferta më e lartë. Tenderat që i shpërndahen oligarkëve, ofiqarëve të PS-së, të inkriminuarve që mbajnë me oksigjen deputetët e mazhorancës dhe së fundi familjen e kryeministrit, janë një provë e rëndë për krimin që po kryhet me tenderat publik në Shqipëri”, deklaroi Tabaku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA