Raporti i OKB-së fshikullon Mianmarin: Krerët ushtarakë të hetohen për gjenocid!

27/08/2018 10:44

Krerët më të lartë të ushtrisë së Mianmarit duhet të hetohen për gjenocid në shtetin Rakhine, si dhe për krime kundër njerëzimit në zona të tjera të vendit. Raporti i hartuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, bazuar në qindra intervista, shënon kështu dënimin më të ashpër nga OKB-ja deri më sot, ndaj dhunës së shfaqur kundër komunitetit mysliman “Rohingya”.

Taktikat e përdorura nga ushtria janë “vazhdimisht dhe veçanërisht të pabarabarta me kërcënimet aktuale të sigurisë së vendit”, thuhet në raportin që përmend edhe 6 emra të krerëve më të lartë të ushtrisë, që sipas hartuesve të tij duhet të përballen me gjyqin.

Raporti është po ashtu tejet kritik me udhëheqësen “de facto” të Mianmarit, Aung San Suu Kyi, për të cilën thuhet se ka dështuar të ndërhyjë për të ndalur dhunën. Ai bën thirrje më tej, që çështja të referohet në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC) të Hagës.

Qeveria e Mianmarit ka pretenduar vazhdimisht se operacionet e saj kanë shënjestruar militantët apo kërcënimet për kryengritje. Por, raporti thekson se krimet e dokumentuara prej hartuesve janë “tejet tronditëse përballë nivelit të mohimit, normalitetit dhe pandëshkueshmërisë që u bashkëngjitet atyre”.

Lexo edhe:
Facebook “zhduk” zyrtarët ushtarakë të Mianmarit nga rrjeti social

“Nevoja për mbrojtje ushtarake nuk duhet kurrsesi të justifikojë vrasjet pa dallim, përdhunimin në grup të grave, sulmet ndaj fëmijëve apo djegien e fshatrave të tërë”.

Misioni ndërkombëtar dhe i pavarur faktmbledhës i OKB-së në Mianmar u ngrit në mars të vitit 2017 për të hetuar pretendimet e gjera të abuzimeve të të drejtave të njeriut në vendin e njohur dikur si Birmani, e veçanërisht në shtetin Rakhine. Puna e këtij misioni nisi madje përpara se ushtria të niste një operacion të shkallës së gjerë në gusht të vitit të kaluar, pas disa sulmeve vdekjeprurëse të militantëve “Rohingya”. Të paktën 700 mijë myslimanë të këtij komuniteti janë larguar nga Mianmari për shkak të dhunës që pasoi.

Situata ishte në prag të “kërcënimit të një katastrofe që nuk ishte parë për dekada”, thuhet në raport, dhe rezultat i pashmangshëm i “shtypjes së rëndë, sistematike dhe institucionale nga lindja deri në vdekje”.

Ndërkohë, krimet e dokumentuara në Kachin, Shan dhe Rakhine përfshijnë vrasje, burgosje, torturim, përdhunim, skllavërim seksual, persekutim dhe skllavërim, që të gjitha këto që arrijnë në limitet e “krimeve më të rënda bazuar mbi ligjet ndërkombëtare”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA