Pagesa e barrëlindjes, “online”. Shtatzënat nuk do të aplikojnë pranë zyrave

27/08/2018 15:17

Gratë shtatzëna dhe nënat me fëmijë të porsalindur nuk do të detyrohen më që të enden nëpër zyrat e shtetit për të përfituar pagesën e barrëlindjes.

Përmes një shkrese zyrtare, ministri i Financave, Arben Ahmetaj i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që i gjithë procesi i përfitimit të barrëlindjes të kalojë në mënyrë elektronike, pa patur nevojë që përfitueset të paraqiten fizikisht në zyrat e shtetit.

Aktualisht, përfitimi i barrëlindjes është një procedurë e ngarkuar burokratike që detyron gratë shtatzëna dhe nënat me fëmijë që të sorrollaten nëpër shumë institucione, si dhe të presin radhë të gjata nëpër sportelet e shtetit.

Përkatësisht, për të përfituar pagesën e barrëlindjes nënat me fëmijë janë të detyruara që çdo muaj të marrin një raport në konsultore, të cilin duhet ta dorëzojnë tek punëdhënësi. Nga ky i fundit ato duhet të marrin listëpagesën, të cilën më pas duhet ta dorëzojnë po fizikisht tek Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Kjo procedurë, përveçse i detyron nënat që sapo kanë lindur apo gratë shtatzëna që të enden në disa institucione, vonon edhe marrjen e pagesës me disa muaj.

Për këtë arsye, Ministria e Financave i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që çdo dokument i detyrueshëm për përfitimin e barrëlindjes të lëshohet në mënyrë elektronike në të gjithë zinxhirin e institucioneve, nga konsultoret deri tek Instituti i Sigurimeve Shoqërore, pa patur nevojë që gratë shtatzëna të paraqiten fizikisht në këto institucione.

Paralelisht, pagesa e barrëlindjes nuk do të kalohet më në llogarinë e punëdhënësit, por do të shkojë direkt në llogarinë personale të grave përfituese. Sipas Ministrisë së Financave, ky lehtësim nga i cili përfitojnë mbi 20 mijë gra në vit është pjesë e reformës rregullatore për thjeshtimin e procedurave për biznesin dhe qytetarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA