“Burrnesha” e marshit të të rinjve të LSI-së, kryetarja Monika Kryemadhi sapo kishte paralajmëruar mazhorancën për një shtator të nxehtë dhe me protesta. Mesazhi nga Jala do të ishte ndoshta deklarata më serioze nga kampi i opozitës këtë verë.

Por marshi i ashtuquajtur luftarak, e që u bë viral brenda pak orësh, e eklipsoi duke ngjallur jo vetëm humor të zi në rrjet, por edhe kritika për fanatizmin me të cilin të rinjtë e këndojnë tekstin, që i ngjan më tepër një poezie të dobët.

Përveç ngjashmërisë me parakalimet e fëmijëve gjatë kohës së komunizmit para udhëheqjes, shqetësimi i mijëra komentuesve në rrjete sociale është ajo që e shohin si shpëlarje e truve të rinisë në një strukturë që i ngjan më tepër sektit se partisë.

Ndër të paktët që e ka marrë seriozisht, ishte ish kreu i PD-së Sali Berisha, që e postoi me fjalët se “rinia do të përmbysë narkoshtetin”, por duke nxitur menjëherë një valë komentesh kritikuese që i krahasonin të rinjtë herë me debatikas, dhe herë me pasuesit e Hitlerit.

Vala e komenteve përfshin postimet në profile analistësh e qytetarësh, e deri te faqja humoristike Lolita, e cila shqetësimin për militantin që poshtërohet deri në patetizëm, e mbyll me mesazhin: mos e harro këtë video herën tjetër që të lypin votën.

Nga ana tjetër nga postimet ironike në rrjetet sociale, gjykohet se mazhoranca vetëm e trembur nuk është, por nuk dihet nëse kryeministri e ka pritur marshin e Jalës me të njëjtën buzëqeshje si çizmen e “burrneshës” në parlament.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA