Një 25-vjeçar është arrestuar nga policia e Kuçovës, pasi në bashkëpunim me një tjetër person të paidentifikuar vodhën një dyqan celularësh, duke plagosur me thikë punonjësin e tij 24-vjeçar.
I arrestuari Klaudio Naska, banues në lagjen “1 Maji”, ka pasur precedentë të mëparshëm penalë për “armëmbajtje pa leje” dhe “kanosje”, ndërsa tani mbi të rëndojnë veprat penale të “vjedhjes me dhunë”, “plagosje e lehtë me dashje”, “shkatërrim prone” dhe “kanosje”, të kryera në bashkëpunim.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Llukan Prifti” të qytetit, ku dy personat, i dyti ende i paidentifikuar, kanë hyrë në një dyqan celularësh në pronësi të 37-vjeçarit G.D., plagosën me thikë punëtorin E.I., 24 vjeç, e rrëmbyen 23 celularë dhe një laptop.
Pas përfundimit të vjedhjes, ata thyen xhamin e parë të automjetit “Benz” të punonjësit të plagosur, i cili gjithsesi ka mundur të njoftojë në kohë shërbimet e policisë, që bënë të mundur arrestimin e njërit prej hajdutëve dhe sekuestrimin e sasisë së vjedhur nga dyqani.
Top Channel