Brindisi, kapen mbi 500 kg marijuanë. Arrestohen dy skafistët vlonjatë

25/08/2018 10:49

Më shumë se 500 kg marijuanë janë sekuestruar, ndërsa dy skafistë shqiptarë janë arrestuar, gjatë një operacioni antidrogë të “Guardia di Finanza”-s pas një ndjekjeje të gjatë të një gomoneje, edhe kjo e sekuestruar, në det të hapur në brigjet e Brindisit, në Itali.

Skafistët janë identifikuar si 46-vjeçari G.D. dhe 38-vjeçari S.V., që të dy vlonjatë, të cilëve iu vunë prangat në duar me akuzat për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Një njësi e Komandës aerodetare të Barit ka pikasur skafin e gjatë 7 metra, teksa u drejtohej brigjeve puljeze me një çarçaf të madh që mbulonte ngarkesën. Gomonia tentoi t’u largohej forcave të rendit që e ndiqnin, por u kap më në fund nga disa motovedeta italiane. Në të, forcat italiane gjetën 26 pako të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar marijuanë. Mjeti lundrues kishte një motor tejet të fuqishëm.

Marijuana e sekuestruar ishte e paketuar në pako me përmasa të ndryshme, me një peshë totale prej 535 kg dhe që në tregun e zi mund të kapte një vlerë prej rreth 5 milionë eurosh. Edhe në këtë rast është vlerësuar si vendimtar bashkëpunimi operacional dhe informativ me autoritetet e Policisë së Shtetit shqiptar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA