Partia Demokratike ka vijuar edhe këtë të shtunë denoncimin e saj ndaj Mond Begos, të arrestuar e më pas të liruar nga policia greke, për përfitime të punëve publike, pavarësisht se është ish-i dënuar.

Në deklaratën për shtyp nga selia blu, deputeti Luçiano Boçi ka kërkuar reagimin e Prokurorisë kundrejt ish-të dënuarit që – siç shprehet, – si mik i kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përfituar fonde publike në kundërshtim me ligjin.

“Prokuroria hesht, si shërbëtore besnike e krimit në pushtet, pavarësisht se miku familjar i Taulant Ballës, i dënuar me 21 vite burg si trafikant i rrezikshëm droge, ka përfituar pasuri nga disa punë publike në kundërshtim me ligjin, duke nisur me 10 mln euro nga rruga e re Tiranë-Elbasan. Vetëm në 7 muajt e parë të këtij viti, nën mburojën politike të Taulant Ballës dhe në shkelje të plotë të ligjit të Prokurimit Publik, që skualifikon automatikisht të dënuarit, pjesë të organizatave kriminale, trafikanti i drogës ka përfituar 641 milionë lekë nga OST për mirëmbajtje rrjeti. Një miliard lekë sërish nga OST për nënstacionin Librazhd, 3 miliardë lekë nga OSHEE për disa kabina elektrike. E pavarësisht faktit që ka përfituar 10 mln euro dhe 6.4 mld lekë në kundërshtim me ligjin e Prokurimit Publik, që skualifikon të dënuarit anëtarë të organizatave kriminale, si miku i Taulant Ballës që ai është, Prokuroria hesht”, tha Boçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA