Rama mbledh ministrat në Vlorë. Vazhdon analiza e punës që nisi në korrik

24/08/2018 15:18

Kryeministri Edi Rama mblodhi ministrat e tij mëngjesin e të premtes në vilën qeveritare në Vlorë në një takim informal, për të vijuar analizën e performancës së qeverisë “Rama 2” në vitin e saj të parë.

Në këtë mbledhje ministrat janë të vetëm përpara Ramës, pa prezencën e stafeve përkatëse. Përjashtim bën prezenca e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, pasi në këtë mbledhje pritet që të hidhen edhe piketat e punës së mazhorancës për vitin e ardhshëm, që do të kulmojë me zgjedhjet vendore të qershorit 2019.

Përtej kësaj, ministrat do të raportojnë para shefit të tyre në lidhje me objektivat që Rama u kishte përcaktuar që prej shtatorit të kaluar, kur edhe qeveria “Rama 2” nisi punën. Në bazë të kësaj analize, pritet që Rama të vendosë edhe mbi të ardhmen e kabinetit, ndonëse burimet pranë qeverisë theksojnë se kryeministri nuk do të marrë këtë fundjavë vendimin nëse do të bëjë ndryshime apo jo.

Kjo pritet të vendoset nga Rama gjatë javës së parë të shtatorit, ndërsa vendimi pritet të zyrtarizohet në Asamblesë e Partisë Socialiste, për të cilën ende nuk ka një datë të përcaktuar, por pritet të mbahet jo më larg se data 8 shtator.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA