Në Ditën Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare, një sërë të mbijtetuarish kanë vendosur të përballen me kujtimet e së shkuarës, duke udhëtuar drejt kampit të përqendrimit në Tepelenë, ku një pjesë e madhe kanë kaluar fëmijërinë.

Një prej tyre është Sokol Mirakaj: “Kam pasur shumë dilemë, të shkoj apo të mos shkoj? Të shkoj është të kthehm edhe njëherë në ferrin ku kam jetuar. E të mos shkoja më vinte zor, se ndjeja një farë përgjegjësie që duhet të shkoj, duhet të jem prezent”.

Takimi i tyre, i organizuar nga Autoriteti i Dosjeve, vijon me një ekspozitë dokumentare shoqëruar me një simpozium shkencor në Pallatin e Kulturës.

Bajram Dervishi është vetë nga Tepelena. Ai ka vuajtur burgun prej vitit 1962 deri në 1990. Diç kërkon në dosjet informative të këtushme.
“Kur dëgjova për këtë çështje, u ngrita nga urgjenca dhe erdha këtu dhe kam ardhur pikërisht për të parë atë historikun e atyre njerëzve që u groposën dhe nuk dihet ku i kanë eshtrat. Ku vuri këmbë komunizmi e nuk qe egërsia”, tregon Bajrami.

Një paraqitje e punës së bërë deri më sot për projektin e muzealizimit të Kampit të Tepelenës pason simpoziumin. Po më 30 gusht 2017 është hedhur hapi i parë për fillimin e punës për Memorialin, me mbjelljen e qiparisëve të parë që përkujtojnë të miturit e zhdukur. Nëpër këto kapanone shumëkush hesht dhe kujton. Ashtu siç na rrëfen dikush që mban stemën “Unë i mbijetova Tepelenës”.

Pashk Nikollë Ndreu thotë: “Babai më ka vdekur këtu. Një muaj para se të na vinte lirimi. Mirë se vdiq, por humbi edhe varrin. Kur i shikoj sot këto vende ndjej një dhembje të jashtëzakonshme”.
Tepelena mbeti në kujtesën e njerëzve, pasi për shkak të këtyre kushteve të vështira, pati raste të shumta vdekjesh, sidomos në mosha të reja. Terezina Capaliku tregon: “Mbaj mend veten në këtë vend gjithë ditën dhe çdo ditë vetëm duke qarë e duke mbërdhi. Në kamionin që kena ardh rrugës, unë nuk mbaj mend se kam qenë 9-muajshe, por thotë nëna. Ka rënë një vajzë nga kamioni dhe aty e kanë lënë rrugës së vdekur. 200 gramë bukë në ditë ka pas nëna ime. Unë kam kujtuar, se isha e vogël, se ishte dykatësh. Por ama, unë di këtë që në 91 jam çuar në këmbë me gjet veten dhe e kam gjetur”.

Disa studiues mendojnë se ishte pikërisht vdekshmëria e lartë e fëmijëve në kampin e Tepelenës që i detyroi drejtuesit e lartë komunistë të merrnin vendimin në fund të viti 1953 për ta mbyllur kampin e Tepelenës dhe në përgjithësi kampet e rrethuara me tela me gjemba.

Rrok Vuksani shprehet: “Nëna nuk kishte as gji për të më ushqyer. Se ishte edhe e sëmurë. Ishte 21 vjeç. Kishte edhe motrën. Me bukë thatë, ose ujë me sheqer. Ka qenë një moshë që unë vetëm rrija duke qarë. As babës nuk ia di varrin, as ia kam gjetur tash 28 vjet. Ishte obligim im që thoja të paktën këtë ta realizoj. Edhe këtë e kam pas obligim, të vija të vizitoja këtë vend. Asnjë lloj burgu nuk mund të jetë kaq çnjerëzor sa ky vend”.

Bashkë me familjen e vet, Lekë Previzi përshkoi një kalvar të gjatë internimesh dhe burgu, ku humbi gjyshen, nënën, vëllanë dhe ku edhe krijoi familje, me një vajzë që i mbijetoi Tepelenës, Gjyljana Malajn.

Shërbimi që i ka bërë Leka historisë lidhet me dëshmitë e gjalla që ai i ka sjellë deri në të sotmen, ku duke përdorur thëngjill e laps ka dokumentuar me saktësi akribike figura, ndërtesa, situata, portrete dhe njerëz: “Kam jetuar vdekjen e një njeriu nga uria që në momentin e fundit thoshte bukë, bukë, bukë… Ne nuk e kemi prononcuar fjalën Aushvic, e kanë thënë të huajt atë. Por, në kuptimin e vërtëtë kampi i Tepelenës ka qenë i tmerrshëm. Mendoni që para Tepelenës është mirë që të ketë një muze në Spaç ose në Burrel? Ajo varet nga shteti. Sigurisht që ato janë burgje të hatashme që gjithë bota i ka bërë muzeume, Pse mos t’i bëjë edhe Shqipëria?”

I pranishëm në këtë ditë ishte edhe Presidenti Ilir Meta, i cili dekoroi disa nga të mbijetuarit në emër të dinjitetit njerëzor.

Bashkë me muzgun e një ditë të gjatë kujtimesh, disa prej dëshmitë e të mbijetuarve u projektuan edhe në murin e një prej kapanoneve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA