Në Kamëz, dhjetra njerëz u grumbulluan para stadiumit të qytetit në pritje të ndihmave nga një shoqatë humanitare. Shumica e tyre thonë se i ka detyruar varfëria ekstreme të dynden në dyert e stadiumit, ndërsa një pjesë e mirë pohojnë se i kanë nxjerrë padrejtësisht nga skema e trajtimit me ndihmë ekonomike.
Në Kamëz trajtoheshin dikur 6000 familje me ndihmë ekonomike. Pas dy ndërhyrjeve drastike, një herë në vitin 2014 dhe një herë në fillim të këtij viti, tani në Kamëz trajtohen 400 familje me ndihmë ekonomike.
Skema e pikëzimit është hartuar me ndihmën e Bankës Botërore, që së fundi pranoi se nga lista mund të kenë dalë familje realisht të varfra.
Ndihma ekonomike ndahet në mënyrë të tillë: 18 mijë lekë të vjetra përfiton kryefamiljari, 12 mijë lekë bashkëshortja dhe nga 9 mijë lekë të vjetra për çdo fëmijë nën 18 vjeç. Megjithatë, një familje nuk mund të përfitojë më shumë se 80 mijë lekë të vjetra ndihmë, pasi ky është tavani i vendosur me ligj.
Top Channel