Punonjësit e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit i bashkohen thirrjes së Aleancës për Dhurimin Gjakut, duke u sensibilizuar me institucionet e tjera të Bashkisë së Tiranës, të cilat gjatë verës dhuruan gjak për të sëmurët talasemikë dhe personat e tjerë në nevojë.
“U jam pafundësisht mirënjohës të gjithë kolegëve të Bashkisë së Tiranës, sot Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, të cilët gjatë gjithë verës, pavarësisht periudhës së lejeve, jo vetëm që s’kanë lënë mangët asnjë punë në Tiranë dhe siç e shikoni është hapur çdo kantier në qytet, por ajo që është më e rëndësishme, kanë qenë të parët për të dhuruar gjak. Nga statistikat që na u ofruan nga Kryqi i Kuq me rritjen 250% të dhurimeve të gjakut gjatë sezonit të verës falë kontributit të Bashkisë Tiranës, është fakt se kemi kaluar me sukses një nga sfidat që tipikisht ndodhin çdo verë, ku prej largimit të pushuesve kemi pasur ulje të dhurimeve dhe kemi pasur shumë problematika kryesisht nga aksidentet, nga të sëmurët me talasemi dhe ata që kanë nevojë për gjak”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se kjo fazë emergjente e dhurimit të gjakut duhet të vazhdojë me angazhimin e të gjitha institucioneve, për ta kthyer në një traditë të përhershme.
“Besoj se për këtë fazë të emergjencës Bashkia e Tiranës e ka kryer misionin e saj dhe kemi kaluar një verë realisht të menaxhuar mirë, me këtë frymë solidariteti. Tani do të kalojmë nga një fazë emergjente, në një fazë rutinë ku çdo institucion i bashkisë, në mënyrë kalendarike, 1 herë në 3-4 muaj, të dhurojë gjak; pra, të kalojmë nga zgjidhja e emergjente në një situatë ku edhe mund të parashikojmë se cilat do të jenë volumet e gjakut të dhuruar”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.
Veliaj deklaroi se çdo punë, çdo investim i bërë nga bashkia, është i rëndësishëm, por në çdo rast aseti më i rëndësishëm janë njerëzit.
Top Channel