Qeveria mbyll analizën. Në shtator, Asambleja për fatin e ministrave

22/08/2018 19:35

Të premten, Edi Rama do të mbledhë në Vlorë ministrat e tij, për të vazhduar analizën e këtij viti të parë të punës së Qeverisë, analizë e cila ka nisur që në korrik, në një takim të ngjashëm që u mbajt në Tiranë.

Njësoj si herën e kaluar, në këtë mbledhje kryeministri do të jetë vetëm me anëtarët e Qeverisë, të cilët do të raportojnë mbi realizimin e detyrave dhe objektivave, që secili dikaster kishte të përcaktuara kur Qeveria “Rama 2” nisi punën shtatorin e kaluar.

Nga kjo mbledhje, kryeministri nuk pritet të dalë me një vendim në lidhje me fatin e ministrave të tij, për të cilët Rama do të vendosë më tutje, në fillim të shtatorit, kur pritet që Partia Socialiste të mbajë dhe mbledhjen e radhës së Asamblesë së saj Kombëtare.

Ende nuk ka një datë të saktë se kur do të thirret Asambleja socialiste, por burime nga kjo forcë politike i thanë Top Channel se, ajo pritet të zhvillohet brenda datës 8 shtator.

A do të ketë ndryshime në Qeveri? Kush ministër do të largohet e kush do të qëndrojë?

Edi Rama do të vijojë të mbajë në ankth deri në fund, të gjithë anëtarët e Qeverisë, të cilët pritet të mësojnë fatin e tyre “live”, njësoj me publikun, në mbledhjen e Asamblesë, njësoj siç ndodhi gati një vit më parë, kur shtatorin e kaluar, ata që janë sot ministra e mësuan njëherazi me anëtarët e Asamblesë se ishin përzgjedhur nga kryeministri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA